Zbulohet plani 800 miliardë euro për riarmatimin e Europës, vendet anëtare do kenë të drejtë të përdorin fondet e Brukselit për artilerinë

04/03/2025 11:23

Komisioni Evropian propozoi të martën një borxh të ri të përbashkët të BE-së prej 150 miliardë eurosh për t’ua huazuar qeverive të BE-së për mbrojtjen, si pjesë e një përpjekjeje të përgjithshme financiare prej 800 miliardë eurosh për të forcuar aftësitë mbrojtëse të Evropës.

Sipas Komisionit, 150 miliardë eurot e borxhit të ri të përbashkët do të përdoren për ndërtimin e kapaciteteve si mbrojtja ajrore dhe raketore, sistemet e artilerisë, raketat dhe municionet, dronët dhe sistemet kundër dronëve ose për të adresuar nevoja të tjera nga fusha kibernetike deri te mobiliteti ushtarak.

“Kjo do t’i ndihmojë shtetet anëtare të bashkojnë kërkesën dhe të blejnë së bashku. Kjo do të ulë kostot, do të zvogëlojë fragmentimin, do të rrisë ndërveprueshmërinë dhe do të forcojë bazën tonë industriale të mbrojtjes,” tha Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen.

Liderët e BE-së do të diskutojnë propozimin në një samit të posaçëm të enjten, i cili i kushtohet shpenzimeve për mbrojtjen.

Komisioni propozoi gjithashtu heqjen e kufizimeve të vendosura nga rregullat e BE-së për shpenzimet qeveritare në rast të investimeve në mbrojtje.

“Nëse shtetet anëtare do të rrisnin shpenzimet e tyre për mbrojtjen me 1.5% të PBB-së mesatarisht, kjo mund të krijonte një hapësirë fiskale afër 650 miliardë euro,” tha von der Leyen.

Komisioni propozoi gjithashtu që vendet e BE-së të mund të përdorin për mbrojtjen fondet që marrin nga buxheti i BE-së, të cilat zakonisht përdoren për të barazuar standardet e jetesës në Evropë.

Të gjitha këto elemente mund të sigurojnë deri në 800 miliardë euro për qeveritë e BE-së për t’i shpenzuar në projekte mbrojtëse.

“Evropa është gati të marrë përgjegjësitë e saj. Evropa mund të mobilizojë afërsisht 800 miliardë euro për një Evropë të sigurt dhe të qëndrueshme. Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me partnerët tanë në NATO. Ky është një moment për Evropën. Dhe ne jemi gati të veprojmë,” tha ajo.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta