
Në kohën kur nga ana tjetër e Atlantikut mbërriti lajmi i tërheqjes së mbështetjes së SHBA-së për Ukrainën, kryetarja e Komisionit Europian njoftoi se BE-ja po planifikon riarmatosjen dhe vendet anëtare të saj do të mund të sigurojnë së bashku armatime në vlerën e 800 miliardë eurove.
Kjo megjithatë, nuk është hera e parë që Washingtoni e ngrin ndihmën ushtarake për vendin e përballur me agresion rus.. Republikanët në Kongres bllokuan këstin më të madh të ndihmës ushtarake të presidentit të atëhershëm Joe Biden për Ukrainën edhe verën e vitit 2023, kujton BBC, dhe paskësaj, Kievi arriti të kapërcejë momentin e vështirë me ndihmën e Evropës derisa Kongresi amerikan miratoi në fund paketën e ndihmës prej 60 miliardë paundë pranverën e vitit 2024.
Dhe kjo pikërisht në kohën e duhur, kur Ukraina po luftonte për të shmangur një ofensivë të përtërirë ruse në Kharkiv. Mbërritja e armatimeve të vonuara amerikane ndihmoi të ndryshonte vala e luftës. Kombet europiane e kanë rritur ngadalë përgjatë kësaj periudhe prodhimin e tyre të predhave të artilerisë.
Në përgjithësi Europa tani i ofron Ukrainës 60 për qind të ndihmës së saj – më shumë se SHBA-ja. Megjithatë, mbështetja ushtarake e SHBA është ende jetike për Ukrainën. Aftësia e Ukrainës për të mbrojtur njerëzit dhe qytetet e saj është mbështetur shumë te sistemet e sofistikuara të mbrojtjes ajrore të SHBA-së – si bateritë Patriot dhe NASAMS – të zhvilluara së bashku me Norvegjinë. SHBA i ka dhënë Ukrainës aftësinë për të kryer sulme me rreze të gjatë – me raketa HIMARS dhe ATACMS. SHBA e ka kufizuar përdorimin e tyre brenda Rusisë, por ato kanë qenë ende të një rëndësie vendimtare për goditjen e objektivave kyce brenda territoreve të pushtuara.
Dhe në lojë me armët amerikane nuk është vetëm cilësia, por edhe sasia, kujton BBC. Si ushtria më e fuqishme në botë, ajo e SHBA-së ka qenë në gjendje të dërgojë qindra Humvee dhe automjete të blinduara – shifra këto që ushtritë më të vogla europiane nuk mund t’i arrijnë dot kurrë. Mungesa e një pjese të kësaj ndihme mund të marrë kohë për t’u ndjerë në vijën e frontit.
Por ajo mund të ketë një ndikim të menjëhershëm më shqetësues, në aspektin e ndarjes së të dhënave të inteligjencës.Asnjë komb nuk mund të krahasohet me SHBA-në për sa i përket vëzhgimit të bazuar në hapësirë, mbledhjes së informacionit dhe komunikimit, e kjo nuk ofrohet vetëm nga ushtria amerikane, por edhe kompanitë tregtare. Aktualisht, çdo pozicion ukrainas në vijën e frontit, sipas gjiganti mediatik anglez, mbështetet tek satelitët e rrjetit Starlink të Elon Muskut.
Top Channel