“Reforma në drejtësi nuk preket!” Ambasadori Gonzato: Pavarësia e gjyqësorit, jetike për një shtet

04/03/2025 21:25

“Reforma në Drejtësi është e pakthyeshme”! Është ky mesazhi i ambasadorit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, i cili nënvizon rëndësinë e pavarësisë dhe integritetit të magjistratëve.

Ambasadori Gonzato u shpreh se Bashkimi Evropian e ka mbështetur që në fillim procesin e Vetingut dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë deri në përfundimin e tij.

“Besimi është një bindje që duhet të ushqehet vazhdimisht. Ai nuk mund të konsiderohet i dhënë. Kjo do të thotë se, ndërkohë që reforma në drejtësi është e pakthyeshme, zbatimi i saj kërkon vëmendjen dhe mbështetjen tonë të qëndrueshme. Sigurimi i pavarësisë dhe integritetit të gjyqtarëve është një detyrë dhe një përpjekje e përhershme”, tha ai.

Për kryediplomatin e Bashkimit Evropian në Shqipëri “përgjegjësia dhe pavarësia janë në qendër të çdo shoqërie demokratike të qeverisur nga shteti i së drejtës”. Ambasadori Gonzato i bëri këto mesazhe në një tryezë të organizuar nga Ambasada e Holandës në Tiranë dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, prej ku theksoi se do të vijojë mbështetja e BE-së për drejtësinë në Shqipëri.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta