
Një fletëvotim i një votuesi nga diaspora i shtypur gabim ka përplasur vëzhguesit e partive politike në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Sami Kurteshi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkoi që ky fletëvotim të llogaritet si i vlefshëm.
Vëzhguesit e partive opozitare e shohin si presion mbi numëruesit e votave ndërhyrjen e Sami Kurteshit.
Një presion politik tek numëruesit e KQZ-së, u mundua Sami Kurteshi nga Vetëvendosja që një fletëvotim të pavlefshëm ta shpallë të vlefshëm dhe ishte i domosdoshëm reagimi jonë
Një fletëvotim ku nuk shihen të gjitha partitë politike që janë garuese, konsiderohet i pavlefshëm, kjo bazuar edhe në një vendim të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa marrë në vitin 2019.
Për kontestimin e vlefshmërisë së një fletëvotimi, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thonë se vëzhguesit mund t’i drejtohet PZAP-së.
“Në rastet kur ka paqartësi nëse një fletëvotim është i pavlefshëm apo ndryshe natyrisht se është institucioni përkatës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ku palët mund të paraqesin ankesat e tyre.”, thotë Valmir Elezi Zëdhënës Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Gjatë së hënës në QNR prezent ishte edhe një ekip i PZAP-së që ka marrë të dhëna për 11 vendvotime lidhur me ankesat për fletëvotime të pavlefshme.
Deri më datë tre mars janë numëruar 66% e votave me postë nga diaspora. Bazuar në rezultatin e deritanishëm, prin Lëvizja Vetëvendosje me 52.72%, Lidhja Demokratike e Kosovës është e dyta me 29.8%, pastaj Partia Demokratike e Kosovës me 7.98% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 3.32%.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve synon të shpallë rezultatin përfundimtar më 5 mars dhe të certifikojë rezultatet me 18 mars.
Top Channel