‘Përplasja’ SHBA-BE për Ukrainën, Mitsotakis telefonon Zelenskyn: Vazhdojmë të mbështesim Kievin

04/03/2025 18:51

Në një moment të veçantë të zhvillimeve diplomatike me SHBA dhe BE sa i përket Ukrainës, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Gjatë bisedës u diskutuan zhvillimet e fundit, në prag të mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit Evropian në Bruksel të enjten, më 6 mars.

Kryeministri grek e informoi z. Zelensky për qëndrimet me të cilat Greqia vjen në Këshillin Evropian dhe përsëriti angazhimin e Bashkimit Evropian për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë.

Ai nënvizoi se kjo kërkon një fuqizim të konsiderueshëm të aftësive mbrojtëse të BE-së dhe Ukrainës, si dhe mbështetje amerikane. Kyriakos Mitsotakis theksoi se Greqia do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën.

Siç theksoi edhe zëdhënësi i qeverisë në konferencën javore për shtyp, Kyriakos Mitsotakis është një nga liderët e parë evropianë që ka theksuar prej kohësh nevojën që Evropa të forcojë mbrojtjen dhe sigurinë e saj kolektive nëse dëshiron të qëndrojë si një lojtar gjeopolitik që duhet llogaritur në mjedisin e sotëm kompleks dhe të pasigurt ndërkombëtar.

Dhe për këtë ai ka paraqitur propozime specifike – propozime që kanë të bëjnë si me buxhetet kombëtare, ashtu edhe me nevojën për financim të përbashkët europian për investime të mëdha në mbrojtje dhe konkretisht për financimin e programeve me interes europian, si mburoja e përbashkët evropiane kundër raketave, propozim që ai e ka paraqitur së bashku me kryeministrin e Polonisë, Donald Tusk.

Kyriakos Mitsotakis ka zhvilluar të martën një bisedë telefonike edhe me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, I cili I ka uruar kryeministrit grek ditëlindjen e tij të 57-të.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta