
Mallkimi i orës së fundit vijon të përndjekë demokratët të cilët dorëzuan në limitet e skadimit të afatit ligjor koalicionin me të cilin do të garojnë në zgjedhjet parlamentare te 11 majit.
Aleanca për Shqipërinë Madhështore strehoi 26 sigla shumëngjyrësh ku pati rikthime dhe konfirmime. Nga burgu Ilir Meta rinovoi kontratën me Sali Berishën duke siguruar 4 ulëse ne Kuvend, dy mandate në kryeqytet dhe nga një në Elbasan dhe Fier.
Kryedemokrati ruajti ekuilibrat mes çamëve dhe grekëve duke iu falur vetëm 1 mandat krahas presionit të shtuar të Shpëtim Idrizit. Të njëjtin fat pati dhe Fatmir Mediu dhe Agron Duka.
“Një koalicion shumë i mirë u bë, natyrisht në këtë koalicion vërtet PD ka dhënë 8 vende në listat e garantuara, por demokratët dhe mbështetësit tanë duhet ta dinë se këto 26 parti në tërësinë e tyre përfaqësojnë herë-herë edhe një të tretën e elektoratit shqiptar”, shprehet Berisha.
Në trenin e tij elektoral Sali Berisha mori me vete Nard Ndokën, legalistë dhe ballistë, konservatorë dhe liberalë.
Në përpjekje për të bërë koalicionin sa më madhështor për nga numrat dyert u hapën dhe për Kostaq Papën, i cili gjurmën e vetme që la në Parlamenti është batuta për wiskyn dhe femrat. Ndërsa ne oborrin e PD do dëgjohet serish Zilja e biçikletës se Selami Jenisherit
Por deri sa zilja e jenisherit të dëgjohet sërish një tjetër zile bie në mesnatë ajo e skadimit të afatit për regjistrimin e diasporës, për të cilët Sali Berisha kërkoi me shume kohe
“Por, ajo që themi ne, është të zgjatet minimumi gjer në datën 9 afati. Thirrja e fundit është për përfaqësuesit e tij në entin rregullator të KQZ, të kundërshtojnë vendimin e Edi Ramës, të votojnë me përfaqësuesit e opozitës”, tha Berisha më tej.
Pas thirrjes së kryedemokratit e u vunë lëvizje menjëherë dy anëtarët e zgjedhur me votat e opozitës në Komisionin Rregullator të cilët kërkuan mbledhjen e këtij organi të KQZ për të shtyre me 5 ditë afatin e regjistrimit për të gjithë emigrantët. Socialistët një ditë me parë dhanë dakordësi vetëm për 42 mijë rastet që janë refuzuar dhe jo për te tjerë.
Top Channel