
Kreu i PD, Sali Berisha gjatë takimit me shqiptarët që jetojnë në Milano ka bërë thirrje që të votojnë Partinë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit.
Sipas Berishës, 2025-a është viti i bekuar i diasporës shqiptare.
Ai ripërsëriti se strategu i fushatës elektorale të Donald Trumpit, Chris LaCivita do të udhëheqë fushatën e PD-së në këto zgjedhje parlamentare.
Berisha: Nuk burgosen kundërshtarët politikë për të marrë mandatin. Ju jetoni në një vend të lirë dhe e dini se nuk ndodh që kundërshtarët politikë të burgosen për të vjedhur mandatet. Nuk ndërtohen rrugë dhe shkolla me 10-fishin e çmimit për të grabitur qytetarët. Nuk pasurohet një grusht hajdutësh në krye të shtetit dhe qeverisë me pasuritë e popullit.
Kush do ta besonte nëse do ta thosha disa muaj më parë se për të drejtuar fushatën tonë ka ardhur kryestrategu i planetit? Apo se qindra parti të qendrës së djathtë, në tre rezoluta, do të dënonin regjimin e Edi Ramës dhe narkodiktaturën.
Berisha: Miqtë e mi, Shqipëria këto vite nuk them se u bë vendi i malluar, por nga i cili shqiptarët vetëm largoheshin. U bë vendi nga i cili në 10 vite u larguan më shumë shqiptarë në historinë e kombit, 45% e tyre.
Çdo gjë ka një fund. Viti 2025 erdhi. Viti 2025 e shpall sot para jush, vitin e bekuar të diasporës shqiptare. Vitin e shqiptarëve të lirë që kudo në botë ngritën lart emirin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. vitin e shqiptarëve që përsërisin me vete që do t’i dalin zot Shqipërisë. Jeni komuniteti më i integruar në këtë vend.
Viti 2025, është viti i diasporës shqiptare sepse këtë vit ju i bëni kombit, familjeve tuaja ndër dhuratat më të bukura, më të çmuara që i keni bërë në jetën tuaj. Këtë vit me votën tuaj, me vullnetin e palëkundur, firmosni fitoren e PD, firmosni rotacionin, fundin e narkodiktaturës.
Top Channel