Scholz reagon pas samitit me liderët evropianë në Londër: Baza e gjithçkaje është një ushtri e fortë për Ukrainën

02/03/2025 19:09

Kancelari gjerman, Olaf Scholz tha se një nga pikat e fokusit për aleatët do të jetë të sigurojnë që Ukraina të ketë një ushtri të fortë kur të përfundojë lufta, në mënyrë që të mund të mbrohet kundër çdo agresioni të ardhshëm.

Olaf Scholz e përshkroi takimin e sotëm si “të vlefshëm” pasi theksoi mundësinë për të riafirmuar mbështetjen për Ukrainën.

“Baza e gjithçkaje do të jetë një ushtri e fortë”, iu tha ai gazetarëve pas takimit të liderëve evropianë në Londër.

Këto fjalë vijnë pasi kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer u kërkoi udhëheqësve evropianë të bashkohen në këtë moment që vjen një herë në jetë për sigurinë e Evropës.

Ai tha gjithashtu se arritja e një rezultati të mirë për Ukrainën është “jetike për sigurinë e çdo kombi pjesëmarrës në samit e shumë të tjerëve”.

Kancelari tha se ai dhe Friedrich Merz, fituesi i zgjedhjeve të javës së kaluar, ishin në kontakt pavarësisht se ai nuk ishte në samit.

Më herët Reuters raportoi se bisedimet për të formuar qeverinë e re të Gjermanisë po shqyrtonin krijimin e dy fondeve me vlerë qindra miliarda euro për mbrojtjen dhe infrastrukturën. Shpresa është që këto fonde të miratohen deri në mars, përpara se qeveria e re të marrë detyrën, ndonëse asnjë vendim nuk është finalizuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA