
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takim me shqiptarët në Greqi, në Panairin e Parë të Punës jashtë kufijve.
Panairi i Punës, i pari i këtij lloji, u çel sot në Athinë, me pjesëmarrjen e qindra kompanive shqiptare nga fusha të ndryshme, shumë prej tyre lider të investimeve, agjenci punësimi, dhoma biznesi, sipërmarrës IT, inovatorë të cilët do të paraqesin dhe shpjegojnë ofertat e punësimit për bashkëatdhetarët.
Ai ka zhvilluar bisedime me biznesmenët të cilët kanë shprehur shqetësimet e tyre për mungesën e fuqisë punëtore. Sipas tyre pagat janë më të larta në Shqipëri, krahasuar me pagat që shqiptarët marrin në vendin fqinj.
Rama nuk kursyer as batutat me shqiptarët që jetojnë prej vitesh në Greqi, duke i kërkuar rikthimin në vendin e tyre, kjo për shkak të pagave më të larta.
“Jemi kompani e vajit të ullirit. Kemi ardhur me një ofertë komplete për fuqi punëtore. Ne realisht kemi nevojë për fuqi punëtore. Këtë vit mund të përpunonim 20% më shumë të produktit të ullirit, por për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, ulliri ngeli i pavjelë dhe ne kemi dalë me kosto më të lartë. Pagat i kemi rritur.
E njëjta gjë është dhe për kantinën. Kemi shumë nevojë për njerëz. Mendoj se pagat i kemi më të mira sesa këtu. Normalisht që është punë e vështirë se vreshtat janë në tarraca, në kodra. Janë më të mira sesa këtu sepse janë në shtëpinë e tyre”, u shpreh drejtuesi i kompanisë, teksa një sipërmarrës tjetër tha se pagat janë edhe më të larta se në Greqi.
Kryeministri u ndal në stendën e një prej kompanive të suksesshme në fushën e bujqësisë, e cila ofronte paga konkurruese dhe sapo kishte marrë kërkesat e para nga të interesuarit.
“Rrogat e fermerëve i kalojnë 1500-2000 euro në vit, pasi janë punë sezonale. Puna jonë është që ne duhet t’u japim një gamë më të gjërë fermerëve, orjentimin se çfarë duhet të bëjnë”, u shpreh sipërmarrësi.
Kryeministri Rama tha se do të ketë të tjerë panairë në të ardhmen.
“Ideja është të kemi një panair të pranverës, një panair të vjeshtës në Greqi dhe pastaj do e bëjmë dhe në Itali. Po tani që ne kemi bindjen që me pagat jemi më mirë sesa këtu. Besoj që 1 vit e gjysëm 2 do të jemi pak a shumë si Italia”, tha ai.
Panairi i Punës, i cili do të qëndrojë i çelur përgjatë gjithë ditës, deri në orët e para të mbrëmjes është i organizuar në panele, dedikuar fushave të ndryshme, konktretisht: Ndërtimi dhe Transporti; Mësuesit për Shqipërinë; Ekonomia, Punësimi & Familja; Hoteleria & Turizmi; Bujqësia dhe Zhvillimi Rural; Bashkitë, Investime & Punësim. Sipas fushave, panelet do të drejtohen nga ministrat përkatës, Belinda Balluku, Ogerta Manastirliu, Blendi Gonxhja, Mirela Kumbaro, Anila Denaj dhe Arbjan Mazniku.
Top Channel