
Një qendër e re kulturore, në një infrastrukturë tërësisht moderne, do t’i shtohet kryeqytetit, si ekspozuese dhe promovuese e vlerave të traditës dhe artit shqiptar.
Godina e ish-Komandës së Gardës së Republikës, do të transformohet në qendrën “Trashëgimia për të gjithë – Garda”, falë bashkëpunimit të Bashkisë së Tiranës me Qendrën Shqiptare të Trashëgimisë.
Për të inspektuar ecurinë e punimeve ishte sot në terren, Kryeministri Edi Rama, së bashku me nënkryetaren e Bashkisë Anuela Ristani dhe përfaqësues të grupit që po punon për projektin.
Rama u shpreh se muzeu do të jetë një atraksion i jashtëzakonshëm që do të ofrojë informacion për shtetin shqiptar në një mënyrë mjaft origjinale.
“Ky mund të quhet Muzeu ‘i veshjeve të shtetit’, do me thënë nëse shteti imagjinohet si person, muzeu i të gjithë garderobës së shtetit, i të gjithë xhevahireve, i të gjithë ‘nishaneve’, i të gjithë ‘kopsave’ të shtetit, që do të jetë një atraksion i jashtëzakonshëm. Do të jetë një muze, i cili besoj unë do të ketë edhe një vlerë të madhe edhe për fëmijët dhe nxënësit, për studentët, për të mësuar se nga vjen shteti shqiptar dhe për të parë se si ka qenë ‘i veshur’ në stinë të ndryshme shteti shqiptar”, u shpreh ai.
Top Channel