Ushtria amerikane njoftoi të shtunën eliminimin e një komandanti të lartë ushtarak të organizatës terroriste Hurras al-Din, një degë siriane e Al-Kaidës e cila njoftoi shpërbërjen e saj në janar.

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara, CENTCOM, e ngarkuar për forcat amerikane në Lindjen e Mesme, tha përmes një deklarate se më 23 shkurt, forcat e saj “ndërmorën një sulm ajror me saktësi të lartë në pjesën veriperëndimore të Sirisë, duke vënë në objektiv dhe eliminuar Muhammed Yusuf Ziya Talay, udhëheqës i lartë ushtarak i organizatës terroriste Hurras al-Din”.

“Siç kemi thënë në të kaluarën, ne do të vazhdojmë t’i gjurmojmë pa pushim këta terroristë për të mbrojtur atdheun tonë dhe personelin e aleatëve dhe partnerëve amerikanë në rajon”, tha Gjenerali Michael Erik Kurilla, shef i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara, CENTCOM.

Që kur organizata Hurras al-Din njoftoi në fund të janarit se po shpërbëhej, sulmet ajrore amerikane kanë vrarë disa nga udhëheqësit e grupit, sipas njoftimeve nga CENTCOM.

Më 22 shkurt, ushtria amerikane tha se përmes një sulmi ajror kishte eliminuar Wasim Tahsin Bayraqdar, një udhëheqës i grupit të klasifikuar organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.

Forcat amerikane ndodhen në Siri si pjesë e një koalicioni ndërkombëtar të krijuar në vitin 2014 për të luftuar xhihadistët e grupit të vetëquajtur Shteti Islamik.

Pasi një aleancë rebele e udhëhequr nga grupi radikal islamik Hayat Tahrir al-Sham rrëzoi presidentin Bashar al-Assad dhe mori pushtetin në Damask më 8 dhjetor, organizata Hurras al-Din tha se nuk kishte më nevojë të ekzistonte. Grupi, ku përfshiheshin edhe xhihadistë të huaj, i kishte bazat në pjesën malore të Sirisë veriperëndimore./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA