“Nuk je vetëm”/ Udhëheqësit evropianë mbështesin Zelenskyn pas përplasjes në Shtëpinë e Bardhë

01/03/2025 17:50

Aleatët evropianë të Ukrainës, që pritet të mblidhen në Londër të dielën, janë bashkuar në mbështetje të presidentit Volodymyr Zelensky, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, u përplas me të gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë dhe tha se ai mund të kthehej në Uashington kur ishte i gatshëm për paqe me Rusinë.

Të tronditur nga përplasja publike në Zyrën Ovale, pas së cilës Zelensky u largua nga Shtëpia e Bardhë pa e nënshkruar një marrëveshje për minerale me Uashingtonin, bëri që udhëheqësit evropianë t’i dilnin në mbrojtje udhëheqësit ukrainas.

“Nuk je vetëm”, tha kryeministri polak, Donald Tusk.

Kryeministrit britanik, Keir Starmer, i cili ishte në Shtëpinë e Bardhë këtë javë, tha se ka biseduar me Trumpin dhe Zelenskyn dhe u zotua për “mbështetje të palëkundur” për Kievin.

Zelensky iu ka kthyer përgjigje individualisht mesazheve në X të më shumë se 30 udhëheqësve evropianë, duke iu shkruar “faleminderit për mbështetjen tuaj”.Starmer dhe Zelensky do të takohen të shtunën, ndërkaq të dielën në Londër kryeministri britanik do të jetë mikpritës i dhjetëra përfaqësuesve të shteteve evropiane.

Samiti në Londër do të përqendrohet në mbështetjen për “arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë”, tha zyra e Starmerit. Ky samit po ashtu do të adresojë nevojë që Evropa të rritë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, mes frikës nëse SHBA-ja do të vazhdojë mbështetjen e saj për NATO-n.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se është i gatshëm për bisedime për një parandalim bërthamor në të ardhmen, pas kërkesës së bërë nga fituesi i zgjedhjeve në Gjermani, Friedrich Merz, që pritet të bëhet kancelar. Merz ka thënë se kontinenti duhet të arrijë shpejt “pavarësi” nga Shtetet e Bashkuara sa u përket çështjeve të mbrojtjes.

Në takim do të jetë i ftuar edhe ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, i cili ka biseduar përmes telefonit me homologun rus, Sergei Lavrov, lidhur me luftën në Ukrainë. Sipas një burimi të AFP-së, Turqia që ka qenë mikpritëse e bisedimeve Rusi-Ukrainë më 2022, sërish është e gatshme ta luajë këtë rol, por vazhdon të jetë e përkushtuar për “integritetin territorial të Ukrainës”. Trump ka tronditur Evropën kur ai kontaktoi presidentin rus, Vladimir Putin, me synim që të arrihet marrëveshje për luftën në Ukrainë, që Moska e ka nisur tre vjet më parë.

Ndryshimi i papritur i politikës së Trumpit karshi Ukrainës ka lëkundur aleancën transatlantike.

Gjatë takimit të premten në Shtëpinë e Bardhë, në prani të mediave Trump dhe nënpresidenti i tij, JD Vance këmbyen fjalë të ashpra me Zelenskyn. Trump tha se Zelensky nuk po tregohej mirënjohës, duke shtuar se po luante “bixhoz me jetën e miliona njerëzve”.

“Po luan bixhoz me Luftën e Tretë Botërore, dhe kjo që po bëni është shumë pa respekt ndaj shtetit që ju ka mbështetur shumë më shumë sesa njerëzit e thonë”.

Mediat amerikane kanë raportuar se zyrtarët e Trumpit i kanë kërkuar Zelenskyt që të largohet nga Shtëpia e Bardhë pas kësaj përplasjeje publike.

Ndërkaq, Rusia ka shprehur gëzim lidhur me atë që ka ndodhur në SHBA. Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, e a quajtur Zelenskyn “derr” që ka “marrë shuplakën e merituar”.

Moska tha se udhëtimi i Zelenskyt në Uashington ishte një “dështim total”.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se Zelensky është i “fiksuar” me prolongimin e luftës, teksa shtoi se qëllimet e Moskës ishin “demilitarizimi” i Ukrainës dhe aneksimi i të gjitha territoreve që aktualisht janë të pushtuara nga Rusia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA