
Maturanti nga Fieri Eugert Muskaj çdo fundjavë gjendet në parkun e bletëve në Apoloni ku përkujdeset me pasion për kolonitë e tij.
Ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij ai nuk ëndërron të studiojë jashtë shtetit, por thotë me vendosmëri se ka vendosur ta ndërtojë të ardhmen në Shqipëri, duke mos e braktisur profesionin e bletarisë, një traditë që e ka trashëguar nga gjyshi dhe babai i tij.
“Isha 10 vjeç kur gjyshi më merrte me vete për të vizituar kosheret. Duke parë nga afër punën e tij dhe të babait, u frymëzova për të ndjekur të njëjtën rrugë”, thotë Eugerti.
Sot, ai kujdeset për më shumë se 150 zgjoje me bletë dhe merret me prodhimin e mbretëreshave dhe qumështit të bletës, ndërsa babai i tij është i fokusuar në shumimin e tyre.
“Është një profesion i bukur dhe nëse e bën me pasion, nuk është i vështirë”, shtoi ai.
Duke jetuar pranë parkut arkeologjik të Apolonisë, një zonë e pasur me bimësi dhe shumëllojshmëri lulesh, Eugerti ka nisur t’i promovojë produktet e tij të bletarisë edhe tek turistët e huaj që vizitojnë parkun.
Për të ardhmen, ai ka në plan hapjen e një qendre për apiterapie, duke shpresuar që kjo traditë e trashëguar të vazhdojë dhe të zhvillohet edhe më tej.
Top Channel