
Militantët kurdë të jashtëligjshëm kanë shpallur një armëpushim me Turqinë pas një thirrjeje historike nga lideri i burgosur i PKK-së, Abdullah Öcalan, që i kërkonte grupit të shpërbëhej.
Ky ishte reagimi i parë i Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) pasi Öcalan këtë javë bëri thirrje për shpërbërjen e grupit dhe i kërkoi të dorëzonte armët pas luftimit të shtetit turk për më shumë se katër dekada.
“Me qëllim që të hapim rrugën për zbatimin e thirrjes së liderit Apo për paqe dhe shoqëri demokratike, ne po shpallim një armëpushim në fuqi nga sot”, tha komiteti ekzekutiv i PKK-së, duke iu referuar Öcalan-it dhe i cituar nga agjencia e lajmeve pro-PKK, ANF.
“Ne pajtohemi me përmbajtjen e thirrjes ashtu siç është dhe themi se do ta ndjekim dhe zbatojmë atë”, shtoi komiteti, i cili është i vendosur në Irakun verior. “Asnjë nga forcat tona nuk do të ndërmarrë veprime të armatosura nëse nuk sulmohet.”
PKK, e cilësuar si një grup terrorist nga Turqia, SHBA dhe BE, ka zhvilluar një kryengritje që nga viti 1984 me synimin për të krijuar një atdhe për kurdët, të cilët përbëjnë rreth 20% të 85 milionë banorëve të Turqisë.
Që kur Öcalan u burgos në vitin 1999, ka pasur përpjekje të ndryshme për t’i dhënë fund gjakderdhjes, e cila ka kushtuar më shumë se 40 mijë jetë njerëzish.
Pas disa takimeve me Öcalanin në burgun ku ndodhet, të enjten partia pro-kurde DEM përcolli apelin e tij që PKK të linte armët dhe të thërriste një kongres për të shpallur shpërbërjen e organizatës.
Grupi tha gjithashtu se kushtet e burgut të Öcalan duhet të përmirësohen, duke shtuar se ai “duhet të jetë në gjendje të jetojë dhe të punojë në liri fizike dhe të jetë në gjendje të krijojë marrëdhënie të papenguara me këdo që dëshiron, përfshirë miqtë e tij”.
Pas rënies së raundit të fundit të bisedimeve të paqes në vitin 2015, nuk u bë asnjë kontakt i mëtejshëm deri në tetor, kur një aleat nacionalist i linjës së ashpër të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, ofroi një gjest të papritur paqeje nëse Öcalan refuzonte dhunën.
Ndërsa Erdogan mbështeti afrimin, qeveria e tij ngriti presionin mbi opozitën, duke arrestuar qindra politikanë, aktivistë dhe gazetarë.
Të premten, Erdogan tha se apeli i Öcalan ishte një “mundësi historike”. Ai shtoi se Turqia do të “mbajë një vëzhgim të ngushtë” për t’u siguruar që bisedimet për t’i dhënë fund kryengritjes “të çohen në një përfundim të suksesshëm”.
“Kur të eliminohet presioni i terrorizmit dhe i armëve, hapësira për politikë në demokraci do të zgjerohet natyrshëm”, premtoi Erdogan.
Iraku e ka mirëpritur thirrjen e Öcalanit, duke thënë se ishte “një hap pozitiv dhe i rëndësishëm drejt arritjes së stabilitetit në rajon”.
Prania e PKK-së në Irak ka qenë një burim i vazhdueshëm tensioni midis Bagdadit dhe Ankarasë.
Top Channel