
Kjo vajzë e vogël, quhet Melisa.
Ishte vetëm 2 vjeç kur të shqetësuar nga kolla dhe këputja e saj e vazhdueshme, prindërit do të duhej ta çonin në spital, pa e ditur se kështu po nisnin një kalvar të gjatë e të mundimshëm.
Hemoragjia e madhe, e menjëhershme, ishte sinjali i parë që i tronditi dy prindërit e Melisës.
Babai i saj, Rexhepi, që kishte dhënë prej shumë kohësh gjak për të tjerët, këtë herë duhet të jepte gjak për të bijën. Por nuk do të mjaftonte.
Për gati 4 muaj rresht, asnjë mjek, nuk jepte dot përgjigje.
Ato muaj pritje pa një përgjigje, ndërsa vajza tretej e vuante, kanë qenë më sfilitësit për Rexhepin e Valentinën.
E vetmja zgjidhje që iu dhanë ishte ta dërgonin jashtë Shqipërisë. Ministria e Shëndetësisë së Kosovës miratoi një fond të posaçëm për diagnostikimin dhe kurimin në Turqi, ndërsa gjithë Malisheva, ku ata jetojnë, u bë bashkë për t’ju mundësuar biletat e udhëtimit dy prindërve që s’kishin asnjë mundësi ekonomike.
Atje morën përgjigjen e saktë: Ishte një sëmundje e rrallë, që kap gati 1 në 1 milionë. Melisa kishte një zgjerim jo normal të venave, në tubin që lidh fytin me stomakun, të cilat mund të çaheshin dhe të shkaktonin hemorragji kërcënuese për jetën.
Mjekimi s’ishte aspak i lehtë. Për një javë të tërë vajza ra në koma.
Prindërit vajtonin pas dyerve të spitalit, ndërsa gjyshja qante mbi djepin e mbetur bosh në shtëpi.
Fatmirësisht Melisa doli nga koma, u përmirësua, derisa e kthyen në shtëpi. Atëherë të gjithë shpresonin se e keqja kishte kaluar. Por jo.
U është dashur të shkojnë edhe 12 herë të tjera në Turqi e të kryejnë 5 operacione të ndryshme. Me gjithë mundimet, shpenzimet e mëdha, gati 150 mijë euro, siguruar nga ndihma që u ka dhënë kushdo që ka mundur, shërimi i vajzës dukej pothuajse i pamundur.
Melisës i duhej dhe një ndërhyrje tjetër, i domosdoshëm për jetën.
Shpresa e fundit ishte lutja për ndihmë tek emisioni “Për Shqiptarët”
Përgjigjja për thirrjen e dy prindërve të drobitur, u dha menjëherë nga shqiptarët.
Melisa u nis drejt spitalit Bambino Jesu në Itali.
Atje bëri ndërhyrjen e duhur, atë që do t’i shpëtonte jetën.
Shtëpisë i është rikthyer gëzimi, si atëherë, kur e vogla Melisë erdhi në jetë. Sot ajo është një vajzë e shëndetshme e plot jetë. Çdo buzëqeshje e saj është një dëshmi se mrekullitë ekzistojnë e se një zemër e vogël, por e guximshme, mund të fitojë betejat më të mëdha.
Top Channel