
Një tjetër histori e trishtë u rrëfye në emisionin që bën bashkë të gjithë shqiptarët, “Për Shqiptarët”.
Ishte aktori Alfred Trebicka që rrëfeu historinë e trishtë të Amarildos, të diagnostikuar me leucemi akute.
16-vjeçari iu bashkua studios dhe brenda pak orësh u mblodh shuma që i duhej për operacionin.
Shqiptarët sërish u bënë bashkë për të mbështetur një jetë.
Historia e Amarildos
Ishte data 31 dhjetor. Jo e ndonjë viti të largët, thuajse të harruar. Përkundrazi.
31 dhjetori për të cilin po ju rrëfej është i një viti krejt të afërt, të atij që sapo shkoi.
E theksoj fort këtë, që të kuptoni mirë, se sa e e freskët është plaga që shkaktoi një lajm i kobshëm, që mbërriti në familjen Muça, pikërisht më 31 dhjetor 2024.
Gati n’kapërcyell të viteve, kur gjithë njerëzia bëhen gati të festojnë, e orvaten sa e si të munden, që të mbushin tryezën, shtëpinë e zemrën plot, duke u lutur e shpresuar për shëndet e për më shumë të mira… dy prindër të mjerë, të drobituar nga pamundësitë ekonomike, mësuan se djali i tyre, Amarildo, është diagnostikuar me leucemi, po more po, me leucemi akute.
Ai që erdhi si gëzimi i parë për Beharin e Kadifen; ai për të cilin prindërit vendosën të lënë fshatin Ostren të Dibrës e të zbresin në Tiranë; ai që u rrit me shumë dashuri e përkujdesje, ndonëse jetonin në një dhomë të vogël ndërtuar si mos më keq nga i ati, pa kushte e me plastmasë shtruar në vend të pllakave; ai që humbi fëmijërinë e u burrërua para kohe, për të rritur dy vëllezërit më të vegjël, ndërsa prindërit duhet të iknin për punë sezonale, herë pas herë edhe në Greqi; ai që ishte gati të luftonte për gjithçka e me gjithcka… tani duhet të gjejë forcë të përballet trup më trup me një përbindësh, me një sëmundje që është shumë më e fortë se ai.
Terreni mbi trupin e tij kishte kohë që po zaptohej. Shenjat po shfaqeshin një e nga një…njolla të errëta, temperaturë e lartë, gunga të dukshme në qafë… derisa dhe mushkëritë u mbushën me ujë.
E kur sëmundja po niste të bënte kërdinë, nisën ndërhyrjet e menjëhershme.
Ishte në urgjencë kur zemra e Amarildos u çmend nga rrahjet e forta… derisa ndaloi. Fatmirësisht ishte vetëm për pak momente. Me shumë përpjekje, mjekët e rikthyen në jetë. E rikthyen në botën ku do t’i duhej të nisë një betejë të gjatë e të vështirë.
31 dhjetori, kur i dhanë përgjigjen e biopsisë, është dita e parë e vendosjes në këtë llogore.
Që prej atëherë e deri më sot, Amarildo ka kryer seanca kimioterapie që nuk kanë rezultuar të suksesshme; po kapërdin mes lotësh rënien e flokëve; po vuan tretjen pak e nga pak të trupit të tij, përmbysjen e jetës ku nuk ka më ditë hareje mes shokësh e shoqesh në shkollë, as lojëra me Marjanon dhe Ledjonin, dy vëllezërit e tij.
Amarildo po mbërthehet çdo sekondë e më shumë, nga frika – se nuk do të ketë dot shpëtim. Është vetëm 16 vjeç. Po po, djali për të cilin po ju tregoj, është vetëm 16 vjeç.
Top Channel