
Në një shtëpizë të vogël në fshatin Zdrajsh Katund të Librazhdit jetonte një familje e madhe, e përbërë nga 2 prindërit Kapllan dhe Ike Goli, si dhe 4 fëmijët: Aureli, Antonela, Erjola dhe Anteo, më i vogli i shtëpisë vetëm 7 muajsh. Unë isha djali më i madh, asokohe vetëm 12 vjeç.
Ne ishim shumë të lumtur në familjen tonë të madhe të mbushur me shumë dashuri. Por jeta, ndonjëherë, i vë në sprovë ata që duan më shumë.
“Nisa të ndjeja simptoma që nuk i kisha patur më përpara. Ndihesha i lodhur, i këputur, më dhimbnin kockat dhe kisha temperaturë e hemorragji”.
I bëra të gjitha analizat dhe mora përgjigjen nga doktori: Leuçemi akute. Këto dy fjalë ishin shumë të rënda për mua dhe prindërit e mi. Unë nuk e kuptoja shumë mirë por dhimbja dhe trishtimi në sytë e tyre ma bënë shumë të qartë atë që më priste. Ata u trembën për mua, për jetën time e cila tani ishte e pasigurt.
Ditët që pasonin ishin një luftë e përditshme mes shpresës dhe frikës. Prindërit e mi nuk flinin më gjumë, çdo natë qëndronin mbi kokën e krevatit të spitalit ku unë qëndroja shtrirë e dergjesha mes dhimbjeve që nuk qetësoheshin as pas shumë ilaçeve.
Unë e kuptoj më mirë se kushdo se si ti po ndihesh në këto momente Amarildo. E di se si është të ndihesh i bllokuar nga frika dhe pasiguria. E di se si janë netët pa gjumë kur ëndërron të zgjohesh e të gjesh një botë tjetër, një botë pa dhimbje, pa sëmundje e pa frikë. Unë kam kaluar çdo gjë që po kalon ti tani. Por dua të dish diçka: Nuk je vetëm në këtë betejë.
“Kur ti mendon se po humbet gjithçka, është gjithmonë dikush tjetër që të dhuron shpresë. Në rastin tim, ishte vëllai im i vogël, ai që nuk dinte as të fliste akoma, që më dhuroi një mundësi për të jetuar”.
Mjekët na thanë se shpresa e vetme ishte një transplant palce kockore e duhet të kërkonim një donator të përshtatshëm, e ky person ishte vëllai im Anteo, vetëm 7 muajsh. Për prindërit e mi ky ishte një lajm i mirë po aq sa dhe një lajm që i frikësonte. A ishte e drejtë që ata po kërkonin nga një foshnjë që të shpëtonte dikë? Por kjo ishte e vetmja rrugëdalje.
Ajo që mungonte ishte shuma e madhe që duhej për të bërë transplantin në një spital në Itali. Thirrjes tonë, shqiptarët iu përgjigjën në më pak se 48 orë e unë u nisa menjëherë për në spital.
Operacioni u krye me sukses e tani i jam rikthyer normalitetit. Tani gëzoj shëndet të plotë e kam rifituar shkëlqimin në sytë e mi, që dikur e kisha humbur.
“Në çdo hap që hedh, në çdo frymëmarrje që marr, e në çdo kujtim që ruaj, ndjej praninë e vëllait tim të vogël, i cili më dhuroi një jetë të re”.
E di që ti tani ndihesh i pafuqishëm, por dua të mbash mend se ka gjithmonë shpresë. Unë isha aty ku je ti tani dhe ia dola. Dhe për çdo ditë që kalon e për çdo hap që hedh, ti je më afër jetës tënde të re. Shpresoj që këto fjalë të të japin forcën për të ecur përpara. Se ti je një luftëtar dhe asnjëherë nuk do jesh vetëm. Unë jam këtu për ty e për të të dëshmuar që kjo luftë mund të fitohet.
Top Channel