
Konferenca për shtyp e Donald Trump me Volodymyr Zelenskyy këtë mbrëmje është anuluar.
Dy liderët pritej të përballeshin me mediat në Shtëpinë e Bardhë.
Megjithatë, pas debatit të zjarrtë në Zyrën Ovale presidenti ukrainas u largua më herët nga Shtëpia e Bardhë.
Në një deklaratë në llogarinë e tij në Truth Social, Trump tha se Zelenskyy “nuk është gati për paqe nëse përfshihet Amerika”, duke shtuar “ai mund të kthehet kur të jetë gati për paqe”.
Trump dhe Zelensky u përplasën në mënyrë të vazhdueshme ndërsa presidenti ukrainas i kërkoi homologut amerikan të jetë i kujdesshëm me Rusinë, ndërsa zoti Trump e paralajmëroi atë me tërheqje të mbështetjes amerikane.
Dy udhëheqësit pritej të nënshkruanin një marrëveshje që do t’i jepte Shteteve të Bashkuara qasje të konsiderueshme tek mineralet kritike të Ukrainës. Megjithatë, Presidenti Zelensky e sfidoi hapur zotin Trump për zbutje të qëndrimit ndaj presidentit rus Vladimir Putin.
Presidenti Zelensky kundërshtoi argumentet e zotit Trump se qytetet ukrainase janë kthyer në rrënoja nga lufta tre vjeçare. Presidenti Trump theksoi se udhëheqësi rus Putin dëshiron të bëjë një marrëveshje.
Por Presidenti Zelensky i tha zotit Trump se zotimeve për paqe të Presidentit rus Vladimir Putin nuk mund t’u besohet, duke renditur rastet kur udhëheqësi rus ka dalë nga fjala. Zoti Trump tha se Putini nuk i ka shkelur marrëveshjet me të.
Top Channel