Votat e diasporës ndryshojnë “lojën” në Kosovë, analistët: Lëvizin vendet për Vetëvendosjen

27/02/2025 14:43

Nga numërimi i 19 kutive të votimit prej 43 sa janë në total nga votimi i diasporës në përfaqësitë diplomatike prin Lëvizja Vetëvendosje me 81.89% të votave apo 3305 vota, pasohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 7.21% apo 291 vota.

E treta nga votat e diasporës në përfaqësitë diplomatike del Partia Demokratike e Kosovës me 5.75% me apo 232 vota, pasohet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që ka marrë 1.54% apo 62 vota nga diaspora që votoi në përfaqësitë diplomatike në 19 shtete të botës.

Gjithsej në procesin e votimit jashtë vendit morën pjesë në votim 15,352 shtetas të Kosovës.  Ky trend i rezultateve pritet të ndryshojë numrin e ulëseve në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Sipas njohësve me një mesatare prej 80% të votave, Lëvizjes Vetëvendosje mund t’i shtohen deri në 3 deputetë.

Analisti Kujtim Zebica thotë: “Do të kemi një rritje prej dy deri në tre deputetë për Lëvizjen Vetëvendosje. Në rastin më ekstrem mund të shkojë deri 51 deputetë”.

Kjo do të ia rriste gjasat Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e qeverisë me vetëm një koalicion me komunitetet pakicë joserbe që kanë 10 ulëse të rezervuara në Kuvend.

“Besoj se do t’i ketë 49-50 deputetë që është në favor të Lëvizjes Vetëvendosje për të formuar Qeverinë. Qeveri stabile pa një koalicion të madh nuk do të ketë, për shkak që vitin tjetër kemi zgjedhjen e presidenti që kërkon 80 vota prezent”, shton analisti.

Pas numërimit të votave në përfaqësi diplomatike, do të nis numërimi i votave me postë të ardhura nga diaspora që janë aprovuar rreth 63 mijë pako me fletëvotime.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve synon të shpallë rezultatet përfundimtare deri më 5 mars dhe t’i certifikojë ato deri më 18 mars.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA