
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka ankimuar masën e sigurisë “arrest me burg”.
Vendimi u dha më 12 shkurt me urdhër të SPAK, ndërsa ndodhet prej rreth 2 javësh në paraburgimin e Durrësit.
Kryebashkiaku Erjon Veliaj, sipas hetimit të deritanishëm të SPAK dyshohet se kreu korrupsion në nëntë raste dhe pastroi para, ndërsa investigimi penal nisi nga një informacion përmes postës prej shtetasit të vetidentifikuar si Nesti Angoni, të dhëna që u protokolluan korrikun e 2023.
Disa muaj më vonë SPAK u vu në lëvizje duke kërkuar si fillim deklaratat e pasurisë dhe që më tepër se një vit më vonë nga informimi prej Angonit, në vjeshtën e 2024 pyeti një sërë dëshmitarësh mes tyre edhe Ina Goxhaj e cila dyshohet se u intimidua në zyrat e avokatit të popullit, nga deputetja socialiste Klotida Bushka, edhe ajo nën hetim në një procedim të veçuar dhe në zhvillim e sipër.
Erjon Veliaj mbahet në burgun e Durrësit dhe vazhdimisht nga qelia ka hedhur akuza ndaj prokurorëve të SPAK , mes tyre edhe për gjendjen gjyqësore ku Veliaj paraqitej si një i dënuar, rrethanë që rezultoi e pavërtetë. SPAK dhe drejtoria e burgjeve sqaruan se e përshkruan si të dënuar Veliajn, për shkak të një gabimi në sistemin elektronik.
SPAK dhe gjykata e posaçme ndërkohë kërkojnë gjetjen e përgjegjësve për tubimin dhe intimidimin e gjyqtarëve pas shpalljes së vendimit, gjë për të cilën policia reagoi duke u shprehur se askush nuk kishte kërkuar ndihmë mes tyre as Garda.
Top Channel