Abuzimi me tenderat në Universitetin Bujqësor, 24 personat e akuzuar dalin sot para Gjykatës së Posaçme

26/02/2025 11:32

Seanca për masat e 24 personave të dyshuar për abuzim me tenderat në UBT e parashikuar për të filluar në orën 9:30 nuk ka nisur ende.

Kjo ka ndodhur për shkak se nuk kanë mbërritur të gjithë personat e dyshuar, sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha.

SPAK vuri në hetim 24 zyrtarë të këtij institucioni për dyshimet se kryen korrupsion, shpërdoruan detyrën, shkelën barazinë në tendera dhe falsifikuan dokumentet.

Për pesë prej tyre dhe konkretisht për Eduard Tërthorja, administrator i Universitetit Bujqësor, Altin Murton, drejtor i fondeve, Amarildo Lleshin, drejtor i prokurimeve, Mehmet Qoshka, specialist i fondeve dhe Pirro Zogu, me kërkesë të SPAK gjykata u kishte vendosur arrest me burg në mungesë.

Policia i ekzekutoi masat për katër prej tyre herët në mëngjes, ndërsa vazhdon në kërkim vetëm biznesmeni Zogu, i cili ndodhet jashtë vendit.Ai dyshohet se ka përfituar tendera në shkelje të ligjit.

Në listën e gjatë të të hetuarve për tenderat, 7 janë profesorë në Universitet, përfshi edhe drejtorin e Departamentit Bejo Bizhga, një profesor i njohur në fushën e agrikulturës.

Përveç profesorëve, dy prej tyre janë zëvendës rektorë dhe konkretisht Ilir Kapaj dhe Romina Koto.

Shumica e të hetuarve janë specialistë, por edhe IT që u angazhuan në Komisionet e Vlerësimit të Ofertave në së paku 10 tendera me vlerë gati 1 milionë euro dhe konkretisht për prokurime të zhvilluara për laboratorë të ndryshëm.

Hetimet nisën në 2022 nga dy prokurorët, Vladimir Mara dhe Dritan Prenci, të cilët përpos se kaluan në lupë disa prokurime publike, përdorën edhe metoda të vëzhgimit dhe të përgjimit në universitet.

Jo zyrtarisht bëhet me dije se SPAK ka nën verifikim edhe zyrtarë të dy Universiteteve të tjera.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA