
Në pikëkalimin kufitar të Jarinjës – që lidh Kosovën me Serbinë – Policia e Kosovës tha se ka ndaluar një person të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile.
Sipas njoftimit, personi i ndaluar i identifikuar me inicialet D.R, dyshohet se ka kryer këtë vepër penale në komunën e Gjakovës në periudhën 7-10 maj të vitit 1999, “duke vepruar në grup dhe të organizuar si zyrtarë të mobilizuar me njësi të përbëra nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë”.
Policia tha se në prani të avokatit të tij mbrojtës, i dyshuari është intervistuar nga zyrtarët policorë.
“Prokurori i rastit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës është informuar për të gjitha veprimet hetimore dhe ka lëshuar aktvendimin për ndalimin e të dyshuarit për 48 orë, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi”, u tha në njoftim.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit, tha se D.R, person i zhvendosur nga Gjakova, po hynte në territorin e Kosovës për të rinovuar dokumentet e tij personale, në momentin kur u ndalua.
“Pavarësisht se ka kaluar përmes të gjitha pikave kufitare qindra herë pa asnjë problem, D.R, është privuar nga liria edhe pse nuk ka asnjë provë që ai lidhet me ndonjë krim dhe sidomos me ndonjë krim lufte”, u tha në njoftimin e kësaj partie.
Lista Serbe tha se shteti i Serbisë i ka siguruar ndihmë juridike falas këtij personi.
Organet kosovare të ndjekjes kanë ngritur së fundi dhjetëra aktakuza lidhur me krime që kanë ndodhur gjatë luftës më 1998-99.
Krimet e luftës në Kosovë nga viti 2000 deri më 2008 ishin hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), më pas nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX).
Ndërkaq, nga viti 2018, EULEX-i ia ka dorëzuar lëndët prokurorive dhe gjykatave të Kosovës.
Në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë më shumë se 13.000 persona dhe janë zhdukur mijëra të tjerë. Më shumë se 1.600 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur dhe pjesa më e madhe e tyre janë shqiptarë./REL
Top Channel