
Në regjistrin online në shkolla, të njohur si SMIP, ku veç hedhjes së temave mësimore, notave e mungesave, do të shtohet një dritare e re e quajtur “fletorja e komunikimit digjital”, në të cilën pritet që mësuesi, psikologu dhe oficeri i sigurisë të raportojnë edhe për sjelljen e nxënësve.
Me qëllim rritjen e sigurisë, Ministria e arsimit deklaroi se ky element është pjesë e planit të veprimit për të forcuar bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit mes shkollës dhe prindërve.
Mirëpo arsimtarët thonë për Top Channel se ende nuk janë njoftuar, por lajmin e shohin si shtim të punës burokratike dhe jo me efekt zgjidhës së konflikteve apo bullizmit mes nxënësve.
“Unë mendoj se nuk zgjidhet thjesht me një njoftim online. Nga aspekti i mirëmenaxhimit është disi dhe një mbingarkesë për mësuesin”, tha Llazo.
Ana Llazo mësuesja e anglishtes në një gjimnaz publik në Durrës tregon se që prej heqjes së regjistrave fizikë, shumica e arsimtarëve detyrohen të punojnë jashtë orarit mësimor për plotësimin e SMIP-it. Ndaj ajo e shikon të pamundur njoftimin e prindërve në kohë reale përmes fletores së komunikimit digjital.
‘Ka ditë që nuk arrin të plotësojmë gjithë procesin brenda orarit mësimor edhe e hedhim në shtëpi. Për sa i përket mungesave është pak problem, se duke qenë se duhet të hidhen në kohë reale, por është jashtë mundësive sepse jo të gjithë mësuesit janë të pajisur me laptop apo edhe telefoni ndonjëherë s’ka internet.
Por përveç njoftimeve që mund të bëjë mësuesi në kohë reale, qëndron dhe problemi tjetër sa të lirshëm janë prindërit? Nuk mund ta marrin në kohë reale gjithmonë”, tha ajo.
Për problematikat mes nxënësve, në shumicën e rasteve mënyra e njoftimit bëhet përmes telefonatave sipas mësueses Llazo.
“Tradicionalja është përmes telefonit, komunikojmë me prindin e thërrasim të vijë në shkollë të paraqitet. Por ka pasur raste pamundësie ka qenë në punë apo diku tjetër edhe është zgjidhur brenda shkollës, me mësuesin kujdestar, psikologun”.
Top Channel