Macron viziton SHBA-në, mediat komentojnë: Kërkon të bindë Trumpin të mos afrohet me Putin!

24/02/2025 13:42

Në kohën kur shumë liderë të BE-së zbarkuan në Kiev për ta kremtuar përvjetorin e luftës me një show uniteti me Ukrainën dhe me premtimet e Usrula von der Leyen se vendi do të marrë edhe 3.5 miliardë euro ndihma në mars, presidenti francez Emmanuel Macron zgjodhi të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për një takim me Presidentin Donald Trump, në të cilin, shefi i Elizesë shkon me një qëllim të qartë.

Ai kërkon t`i tregojë shefit të Shtëpisë së Bardhë se është në interesin e SHBA dhe Europës që të mos tregojë dobësi ndaj Vladimir Putinit gjatë negociatave të udhëhequra nga SHBA për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Macron pritet t’i mëshojë idesë se lejimi i një fitoreje të Moskës në Ukrainë do të ishte një “gabim i rëndë strategjik”.

Kryeministri britanik Keir Starmer do ketë pas tij një takim në Shtëpinë e Bardhë të enjten, në vazhdën e deklaratave të tij se Mbretëria e Bashkuar do të ishte “e gatshme ” për të dërguar trupat britanike në terren në Ukrainë si garanci sigurie në rastin e një marrëveshje paqeje.

Macron shkroi më herët në rrjetet sociale se Trumpi nuk mund të tregohet i dobët përpara Putinit.

“Ky nuk je ti, nuk është shenja jote, dhe nuk është në interesin tënd”, ishte mesazhi i tij.

Vetë presidenti amerikan më herët u shpreh se Macron dhe Starmer nuk kishin “bërë asgjë” për të ndaluar luftën.

Trump dhe ndihmësit e tij kryesorë kanë vazhduar një fushatë presioni kundër Zelensky, të vendosur për ta detyruar udhëheqësin e Ukrainës të nënshkruajë një pakt ekonomik që do t’i jepte Uashingtonit aksione të mëdha në të ardhmen ekonomike të vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA