
Prenotimet për pushime në Durrës kanë nisur më herët këtë vit, duke e afruar industrinë e turizmit me synimin e saj, për një sezon turistik gjithëvjetor.
“Vitin e kaluar ishte maji, ndërsa këtë vit është në prill nisja e prenotimeve dhe kjo është ajo për të cilën ne si industri turizmi po luftojmë, për të zgjatur sezonin turistik”, shprehet Eduard Xhepa, Kryetar i Shoqatës së Turizmit, Durrës.
“Në prill-maj kemi 2,200 turistë që vijnë nga Austria dhe kanë zgjedhur pranverën, më e qetë, duke e shtuar sezonin me dy muaj. Nisë në prill dhe mbaron në fillim të nëntorit”, shprehet Blerim Norja, Operator turistik.
Turistët janë nga e gjithë bota, po një treg që këtë vit po i afrohet më shumë turizmit shqiptar është ai Izraelit.
“Shumë agjenci izraelite kanë nisur të interesohen për të lidhur kontrata me hotelet e Durrësit për të sjellë turistë izraelitë në Shqipëri”, tha Blerim Norja, USHT, Durrës.
“Janë kryesisht nga vendet Scandinavian, po dhe Gjermania, Italia, Greqia. Ka turistë nga e gjithë bota”, tha Eduard Xhepa.
Operatorët turistikë e kanë kuptuar se turistët e huaj janë eksplorues, duan të lëvizin, duke njohur më shumë nga kultura dhe natyra e vendit.
“Ne po bëjmë paketa të ndryshme turistike ku turistët mund të lëvizin në vendet më të bukura të Shqipërisë që po zhvillohet nga dita në ditë…”, shton më tej ai.
Për shumë vizitorë të huaj, Shqipëria mbetet një destinacion i ri dhe plot surpriza.
“Deshëm të vizitonim një vend në këtë pjesë të Ballkanit që e mendoja shumë interesante. Ka shumë histori Shqipëria dhe dua të mësoj më shumë”, shprehet një çift turistësh.
“Është më ngrohtë se andej nga kemi ardhur. Njerëz mikpritës, ushqim i mirë. Po kalojmë bukur”, thotë turistja.
Shtrirja e sezonit turistik në muajt e pranverës dhe vjeshtës është një hap i rëndësishëm drejt turizmit të qëndrueshëm, i cili synon jo vetëm të rrisë numrin e vizitorëve, por edhe të promovojë më tej bukuritë dhe kulturën shqiptare.
Top Channel