Prokuroria e Posaçme SPAK vijon të godasë të tjera pasuri të vëllezërve Çopja, të cilët akuzohen për organizatë kriminale me bazë në Elbasan.

Rreth një muaj pas sekuestrimit të 10 milionë dollarëve pasuri në kriptovaluta, SPAK vë nën sekuestro të tjera pasuri të vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja. Pasuria e fundit që SPAK iu sekuestron vëllezërve Çopja është një biznes agroturizmi në Baldushk të Tiranës, që ofronte shërbime akomodimi në struktura hotelerie, bujtinë, shtëpi pushimi, vila, shërbim bar-restorant-kafe, etj, si dhe godinën e tokën, ku ushtronte aktivitetin ky operator ekonomik.

Prokuroria e Posaçme njofton se pas kryerjes së veprimeve të shumta hetimore është bërë e mundur evidentimi i kësaj pasurie të paluajtshme me vlerë të konsiderueshme, në emër të vëllezërve Çopja, që dyshohet të ketë origjinë kriminale.

Gjithashtu, me urdhër të SPAK është ndaluar administratori i biznesit të agroturizmit në Baldushk, shtetasi P. L, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “pastrimit të parave”, kryer në bashkëpunim, në formën e organizatës kriminale, “organizatë kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Gjatë kontrollit personal, administratorit të këtij biznesi i janë gjetur dhe sekuestruar shuma monetare në euro dhe lekë, orë dore, marka Rolex, varëse floriri dhe 4 telefona.

Njoftimi i plotë i SPAK:

Prokuroria e Posaçme përmes njoftimeve të publikuar më 01.08.2024 dhe 21.01.2025 informoi mbi procedim penal të një organizate kriminale, e cila e kishte bazën në qytetin e Elbasanit dhe drejtohej nga vëllëzërit F. G. (ndryshe F. Ç.) dhe H.B. (ndryshe H. Ç.) si dhe sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe paluajtshme, që dyshohet se janë produkt i veprës penale.

Prokuroria e Posaçme ka vijuar me kryerjen e hetimeve në drejtim të evidentimit dhe sekuestrimit të pasurive të luajtshme dhe paluajtshme, të cilat dyshohet se kanë origjinë kriminale. Pas kryerjes së veprimeve të shumta hetimore është bërë e mundur evidentimi i një pasurie të paluajtshme e vlera e së cilës është e konsiderueshme.

Më datë 18.02.2025, në zbatim të vendimit nr. 115, datë 12.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është vendosur ‘’sekuestro preventive’’ për operatorin ekonomik “S….. FARM” (me aktivitet në fushën e agroturizmit, shërbime akomodimi në struktura hotelerie, bujtinë, shtëpi pushimi, vila, shërbim bar-restorant-kafe etj), si dhe për godinën dhe tokën, në sipërfaqen e të cilës  ky operator ekonomik ushtron aktivitetin, konkretisht, pasuria e paluajtshme në Mumajes, Baldushk, Tiranë.

Pasuritë e sekuestruara:

  1. Pasuria e paluajtshme në Mumajes, Baldushk, (pjesë e OE-së “S. FARM”);
  2. Godinë shërbimesh restorant; kati i parë përbëhet nga kuzhina, restoranti, ambienti i restorantit, veranda, etj dhe kati i dytë i përbërë nga dy dhoma, sallon etj.
  3. Oborri (hapsira rreth ndërtesës) në të cilën gjenden tavolina dhe karrige shërbimi, një kënd lojërash për fëmijë, një ambient ku mbahen shpendë të ndryshëm;
  4. Dhomë shërbimi jashtë restorantit;
  5. Sendet dhe orendi, të ndodhura në restorant.

Në po të njëjtën datë, (18.02.2025), në orën 18:45 u procedua nga prokurori me ndalimin e shtetasit P.L., në cilësinë e administratorit të operatorit ekonomik “S. FARM”, si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunimin e posaçëm, në formën e organizatës kriminale, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 287 – 28/1, 333, 334 të Kodit Penal.

Gjatë kontrollit personal të ushtruar ndaj shtetasit P.L., u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

  • Shuma monetare në valutë euro 2940 (dy mijë e nëntëqind e dyzet)
  • Shuma monetare në monedhë Lekë (ALL), në total 203,000.00 (dyqind e tre mijë)
  • Orë dore, marka Rolex
  • 1(një) varëse floriri, me pllakë në dukje me përbërje floriri, pas të cilës është gdhendur data 29.09.2022, ndërsa në pjesën e përparme janë të vendosura dhe 3 (tre) gurë të çmuar, në dukje diamante;
  • 4 (katër) telefona;
  • Etj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA