
Kryeministri Edi Rama e kundërshtoi komentin se me qëndrimet e artikuluara ditët e fundit ndaj SPAK për arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliajt, ai është duke sulmuar drejtësinë e re.
“Unë mendoj që të kërkosh standardet demokratike në një proces të drejtësisë, aq më tepër për të zgjedhurit nga populli në krye të Bashkisë së kryeqytetit, që merret nga zyra e çohet në burg pa u shpallur akoma i pandehur e lëre më fajtor, nuk është aspak sulm ndaj drejtësisë; të kërkosh që drejtësia e re të kuptojë se qëllimi i lartë nuk i justifikon në asnjë mënyrë mjetet e ulëta, nuk është sulm ndaj drejtësisë, por është detyrim.”, tha kryesocialisti.
Kryeministri shpjegoi se përse vetëm tani ka shpalosur këto shqetësime për punën e prokurorisë dhe gjykatës së posaçme.
“Ne heshtëm, heshtëm totalisht 5 vjet rresht, 5 vjet e më shumë madje, jo se nuk pamë probleme, jo se nuk u skandalizuam në ndonjë rast apo s’e nuk e patëm ndjeshmërinë ndaj një trysnie që ka shkuar hera-herës deri në absurd mbi punonjësit e administratës, por ne heshtëm strategjikisht, heshtëm për të garantuar një atmosferë, ku pavarësia e institucioneve të reja të drejtësisë të mund të konsolidohej, në një vend ku drejtësia s’ka pasur kurrë, kurrë, pavarësi dhe ku norma ka qenë intimidimi dhe marrja në kontroll e saj nga pushteti politik”, shtoi ai.
Këto qëndrime thotë kryeministri vlejnë për konsolidimin si garante e rendit ligjor, si garante e barazisë së të gjithëve para ligjit.
“Duke mos heshtur kur këta të fundit e tejkalojnë kornizën e ligjit me galloshet e Maliqit dhe prokurorë e gjykatës bëhen një galloshe e vetme, si në diktaturë apo në autokraci, jo largqoftë në asnjë mënyrë duke shkrirë SPAK-un apo duke kërcënuar SPAK-un, të cilin duhet ta mbrojmë medoemos në radhë te parë nga bufi dhe nga llumi i kënetës, edhe me votën tonë në 11 maj, por patjetër dhe nga rreziku i hyrjes së vetes në qejf kur i thonë fjalës, duke luftuar të gjithë bashkë ama, paralelisht për rritjen e standardit të drejtësisë dhe për një triumf të aspiratës për një drejtësi evropiane në 11 maj”, tha Rama.
Dhe në fund një mesazh për kundërshtarin e tij politik Sali Berishën.
“Tani zgjedhja nuk ka qenë kurrë më e qartë; o me mua në Evropë, o me bufin e kënetës prapë atje në gropë!”, përfundoi ai.
Top Channel