“Nuk e ka humbur sensin e humorit”/ Meloni viziton Papa Françeskun në spital: Jam e lumtur që e gjeta vigjilent

19/02/2025 17:52

Papa Françesku kaloi një natë të qetë në Spitalin Gemelli të Romës, ku ndodhet në ditën e pestë të trajtimit për pneumoni.

Një diagnozë fillestare e bronkitit është kthyer në një infeksion më të rëndë të frymëmarrjes, një zhvillim shqetësues duke pasur parasysh historinë e problemeve të frymëmarrjes së Papës.

Vatikani tha se Papa po pushonte dhe po merrte frymë pa aparate ndihmuese. Besimtarët u mblodhën jashtë spitalit, duke lënë shënime dhe urime, ndërsa fëmijët nga njësia pediatrike të spitalit dërguan vizatime dhe kartolina.

Në të njëjtën kohë, kryeministrja italiane Giorgia Meloni shkoi në spitalin Gemelli ku vizitoi Papën. Meloni shprehu urimet e saj për një shërim të shpejtë, në emër të qeverisë dhe të gjithë kombit italian: “Jam e lumtur që e gjej vigjilent dhe të përgjegjshëm. Bëmë shaka si gjithmonë. Ai nuk e ka humbur sensin e humorit”.

Papa u shtrua në spital të premten, pasi pati vështirësi të dukshme në frymëmarrje gjatë daljeve të tij publike. Diagnoza e pneumonisë u konfirmua të martën, pas një skanimi të gjoksit dhe Vatikani njoftoi se kërkohen mjekime shtesë. Mjekët e kanë vendosur atë në një program të rreptë pushimi, duke çuar në anulimin e daljeve të planifikuara të së shtunës, si dhe meshën e së dielës në Bazilikën e Shën Pjetrit.

Shtrimi i tij aktual është i katërti që kur mori drejtimin e Kishës Katolike  në vitin 2013.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA