
Emisioni Fiks Fare ka transmetuar mbrëmjen e sotshme rastin e Artan Muderizit, i cili denoncon se babai i tij u aksidentua në azilin “Ruaje Moshën” dhe ndërroi jetë një muaj më vonë, pa marrë kurrë një shpjegim të qartë nga institucioni.
Sipas qytetarit, i moshuari u aksidentua në ambientet e azilit në orët e para të mëngjesit të 15 shkurtit 2022 dhe pas disa javësh në gjendje të rënduar, ndërroi jetë më 20 mars 2022. Artani pretendon se infrastruktura e azilit nuk ishte e përshtatshme për të moshuarit, duke vështirësuar lëvizjen e tyre nga dhomat në tualet.
Pavarësisht kërkesave të tij të vazhdueshme për një shpjegim, ai nuk ka marrë asnjë përgjigje nga administrata e azilit. Kur ai u paraqit vetë për të kërkuar informacion, një punonjës e kërcënoi duke i thënë: “Mos e kruaj me azilin!”. Gjithashtu ai i thotë se duhet të largohet, sepse ata që e kanë biznesin janë njerëz të fuqishëm me krahë të ngrohta. “Kush e rruan k… për historitë që ke marr vesh ti. Ik mos u kruaj o budalla, se do e hash keq” i thotë punonjësi qytetarit.
Gazetarët e Fiks Fare udhëtuan drejt azilit “Ruaje moshën” në rrugën “Ali Visha”, në lagjen “Ali Demi”, për të marrë një informacion lidhur me rastin. Një nga punonjëset e azilit thotë se pronari nuk ndodhej aty dhe se nuk dispononte kontaktet e administratorëve. Edhe pas pritjes së gazetarëve të Fiks Fare për një përgjigje, askush nuk reagoi.
Vjet në gusht azili privat “Ruaje Moshën” ishte sërish në sytë e medias për një vrasje që ndodhi në ambinetet e tij. Një 78-vjeçar ka goditur disa herë me bastun shokun e dhomës duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Policia ka sqaruar se krimi është kryer për motive banale. Ndërkohë që ky institucion ka ambient të survejuar me kamera. Asokohe u arrestuan edhe dy infermierë të azilit, që sipas policisë nuk kanë kallëzuar ngjarjen.
Top Channel