
Prej disa ditësh kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha po replikojnë në distancë mes tyre duke i vendosur njeri-tjetrit edhe epitete shpendësh, në ndonjë rast edhe grabitqar.
Pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kryeministri Rama përmendi “bufin e kënetës” për të ironizuar liderin e opozitës.
“Këtu zien kazani me bufin e kënetës duke u fryrë zjarreve të mundshme të të shkuarës që do të shuhen të gjitha dhe 11 maji do të jetë fundi i historisë së një kënete me një buf që ka marrë peng opozitën shqiptare dhe i rri si një hije e një mallkimi që prej 1912 mbi kokë”, thotë Rama për Berishën.
Në rrjetin e tij social, ka publikuar edhe disa karakteristika të bufit të kënetës. “Bufi i kënetës është një plaçkitës folesh, i cili konsiderohet një rrezik edhe për shpendët shtëpiakë. Ai jeton mes zvarranikëve dhe amfibëve, me të cilët shuan edhe urinë. Trupi i tij grumbullon pesticidet dhe helmet kundër brejtësve, çka e bën helmues atë vetë. Konsiderohet edhe një specie shumë armiqësore ndaj diversitetit”, shkruan Rama.
Ndërkohë sot Berisha ka artikuluar për herë të parë termin “zogu sqep këpucë” për të përkufizuar kryeministrin. Sipas kreut të PD-së, ky zog ka aftësinë të hajë zogjtë e tij.
“Sa i përket lotëve të krokodilit të Edi Ramës për Erion Veliajn, është kuptuar gjerësisht që janë lot krokodili. A nuk iu preu Rama fotografinë në krah kur i dha çelësin e qytetit, Ali Ahmetit? A nuk paralajmëroi ai se do ketë arrestime? Unë socialistëve u thashë dje: lexoni pak zogun sqep këpucë. Ai zog ka një veti, ai han zogjtë e tij. Ti biem shkurt. Zogu sqep këpucë ushqehet me zogjtë e tij”, tha Berisha.
Zogu sqep këpucë, ndryshe nga bufi i kënetës nuk konsiderohet një shpend grabitqar, si shqiponjat apo egërsirat që përdorin kthetra për të gjuajtur. Megjithatë, ai është një shpend mishngrënës, që do të thotë se ushqehet me shtazë të tjera, kryesisht me peshq, bretkosa dhe ndonjëherë zvarranikë të vegjël.
Top Channel