Fiks Fare/ Koncesionari i Thumanë–Kashar i prishi shtëpinë, e la pa pronë dhe shteti pa qira: Izolohet familja në Vorë!

18/02/2025 20:50

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së martës problematikat e qytetarëve që u prekën nga ndërtimi me koncesion i rrugës me pagesë Thumanë–Kashar.

Megjithëse aksi është vënë në qarkullim dhe firma po vjel paratë nga përdoruesit e rrugës, dhjetëra banorë të fshatit Bërxullë në Tiranë enden në dyert e institucioneve.

Kujtim Zeneli kishte një banesë në proces legalizimi. Firma ia prishi, pasi dilte në gjurmën e rrugës. Nuk i dha asnjë qindarkë. I mori mbi 1000 metër katrorë pronë, që e kishte të certifikuar dhe shteti i dha 500 mijë lekë. Ndërtimi i rrugës i prishi edhe rrugën për në tokë, ku aktualisht ai ropatet në rrjeta metalike dhe në kanale për të shkuar te prona 7500 m2. Por jo vetëm kaq; familjet që iu prishën shtëpitë dhe nuk morën dëmshpërblim shteti duhet t’u jepte 3 vite bonus qiraje. Kujtimi nuk ka marrë asnjë kacidhe!

“I jam drejtuar Fiks Fare se kam pasur një shtëpi në gjurmën ku është ndërtuar autostrada Thumanë – Kashar. Ma prishi firma Gener 2. Shtëpinë e kisha në proces legalizimi dhe s’më dhanë asnjë gjë. Po mirë shtëpia, po unë nuk kam rrugë për te toka që e kam me certifikatë pronësie. Rruga që shkonte te shtëpia dhe te toka është prerë nga autostrada dhe tashmë unë nuk kam asnjë mundësi. Kanë bërë një gardh me tel dhe unë futem te ai gardh për të shkuar te toka. Kam mbi 7 dynymë dhe asnjë rrugë. Këta as e morën në konsideratë. Shkoj te Njësia më thonë e ka firma, te firma do e bëjmë tani e pastaj dhe asnjë gjë” pohon Kujtimi.

Grupi i Fiks Fare bashkë me Kujtimin ndjekin të njëjtën rrugë për te prona. Është buzë autostradës Thumanë – Kashar, ku ai kalon ngjitur me një kanal. Me vete ka pinca për të hapur rrjetën me tel. “Ja, të gjithën e kam me dokumente. Nuk kam asnjë rrugë. As firma dhe as shteti asnjë gjë. Ku të futem unë, nga ajri nuk mundem. Të marrin masa” pohon ai.

Bashkë me Kujtimin, Fiksi shkon edhe te Njësia Administrative Bërxullë, ku takojnë administratorin gëzim Koni. Administratori pranon edhe problemin, teksa thotë se ka bërë disa kërkesa te firma, e cila e ka në projekt që të hapë rrugë. “E kanë në projekt, rrugën duhet ta hapë firma Gener 2. E kanë në projekt, po ata kanë ndërruar disa inxhinierë, njëherë thonë po, njëherë ndoshta dhe deri tani asnjë gjë. Ne kemi dërguar shkresa, po nuk kanë vepruar. Tani ka ardhur një inxhinier Ramadan dhe thotë do e shohë. I kemi thënë edhe gojarisht po ende e zvarrisin” thotë administratori.

Fiksi telefonon inxhinierin e Gener 2, Ramadan Bunçi. Ramadani thotë se e kanë në projekt se firma koncesionare e rrugës Thumanë – Kashar duhet të hapë rrugët, por ai është inxhinier zbatues. Thotë se ka disa muaj që ka shkuar në atë punë dhe do ta verifikojë emrin e ankuesit. “Nesër në orën 09.00 hajdeni dhe do të marr me vete edhe juristin për ta parë nga afër” thotë inxhinier.

Fiksi shkon të nesërmen sërish në Njësinë Administrative Bërxullë, ku takojnë inxhinierin dhe juristin e firmës koncesionare. Në takim ishte dhe qytetari, administratori dhe kryeplaku. Debatojnë për mënyrën e rrugës, inxhinieri tashmë ndryshon qëndrim dhe thotë se “s’ka projekt”. Sipas tij, janë të gatshëm të ndërhyjnë nëse ka marrëveshje mes banorëve. Juristi i Gener 2 thotë se, dy janë mundësitë; ose marrëveshje me banorët, ose një projekt nga fillimi i i ARRSH-së, të shkojë te KKT, ta bëjë GENER 2 ose ndonjë firmë tjetër.

Fiksi i bën me dije se, ndryshe tha inxhinieri e ndryshe tani, teksa pohojnë se janë mbyllur të gjitha fazat, që nga shpronësimi, rrugët lidhëse dhe tani në shfrytëzim. Gazetarët e pyesin juristin dhe inxhinierin nëse ishte projekti gabim, pasi kryeplaku thotë se janë 17 familje që nuk kanë rrugë. Përgjigjet se “nuk jemi ministri dhe s’jemi shteti, jemi zbatuesit e asaj kontrate”.

Në fund, bien dakord që firma Gener 2 të vendosë disa tuba dhe të zgjerojë rrugën disa metra me qëllim që Kujtimi dhe 16 të tjerët të shkojnë te toka. “Do të shkojmë ta shohim dhe do ta bëjmë shpejt” thotë inxhinieri.

Ndërkohë, qytetari Kujtim Zeneli shkruan se mirë që i prishën shtëpinë, po nuk merr as bonus qiraje. “Këta të firmës më çuan te Bashkia e Vorës që të marr bonus qiraje. Deri tani nuk kam marrë asnjë kacidhe. Shkoj te Bashkia e Vorës dhe më thonë nuk na kanë ardhur paratë. Nuk di kujt të drejtohem, unë tani jam pa shtëpi, pa rrugë për te toka dhe pa bonus qiraje. Ku të shkoj? Kam bërë dy herë dhe letra dhe asnjë gjë” thotë ai.

Fiksi shkon në Bashkinë Vorë, ku janë bërë me dhjetëra shkresa mes pushtetit lokal dhe ministrive të linjës. Është bërë një marrëveshje mes banorëve, ministrisë dhe bashkisë për trajtimin e këtyre personave me bonus qiraje për 3 vite. Pagesa e vitit të parë mbulohej 100 % nga shteti, vitin e dytë 70 % shteti dhe 30 Bashkia e Vorës dhe vitin e tretë 60 qeveria dhe 40 % bashkia. Por, qytetari s’ka marrë asnjë kacidhe, pasi qeveria s’ka lëvruar fond.

Sipas Bashkisë së Vorës, pagesa do të bëhet në fund të muajit shkurt ose maksimumi fillimi i marsit, pasi ministria e Financave ka mbyllur vitin 2024 dhe po merret tani me 2025-ën. E gjithë pagesa e vitit të parë do të bëhet njëherësh dhe më pas çdo muaj qytetari do të marrë pagesën e bonusit. Për shtëpi sociale, duhet të presë pasi Bashkia e Vorës kërkon fonde.

Fiks Fare mbledh në një tavolinë qytetarin, pushtetin lokal dhe zyrtarët e firmës

Inxhinieri i Gener 2- Ky projekt ka 3 vjet, ka mbaruar më 30 qershor. Unë jam thjeshtë inxhinier zbatimi, ky është drejtori juridik, ky është marrë me shpronësimet. Them që do të biem në konsensus me këta dy zotërinjtë me atë pronarin. Nuk ka projekt! A është gabim projektuesi, këtë sss jo, jo, projekt nuk ka.

Gazetari – Si s’ka, s’ka projekt?!

Juristi i Gener 2 – Projekti ka mbaruar, quhet i ezauruar dhe e kemi mbyllur me të gjitha fazat dhe etapat e projektit.

Gazetari – Ka qenë gabim projekti?

Juristi i Gener 2 – Një sekondë të lutem. Nuk jemi për të diskutuar ka gabime, s’e nuk e gjykojmë dot. Komuniteti ka një kërkesë …

Gazetari – Jo s’e ka komuniteti, duhet ta kishit zgjidhur ju.

Juristi i Gener 2 – Një sekondë.

Gazetari – S’është problem i komunitetit, është problem i juaji.

Juristi i Gener 2 – Një sekondë të lutem, komuniteti ka një kërkesë për të bërë një rrugë që të lidhë ato pronat aty.

Gazetari – Edhe njëherë, komuniteti me atë që shikojmë ne …

Juristi i Gener 2 – Një sekondë …

Administratori – Komuniteti e ka pasur rrugën, duhet ta hapnit ju!

Juristi i Gener 2 – Ne si kompani marrim përsipër që nesër të sjellim makineri, staf dhe ta ndërtojmë me kostot e Gener 2, kontribut në komunitet. Gjithmonë nëse pronarët na lejojnë.

Gazetari – Jo, Kujtimi ka pasur shtëpinë dhe ka tokën aktualisht. Një pjesë të tokës ia zutë ju dhe i prishët dhe shtëpinë.

Juristi i Gener 2 – Jo, ia zuri projekti s’ia zura unë.

Gazetari – E zuri firma juaj, e zuri firma juaj!

Juristi i Gener 2 – Firma zbaton një projekt.

Gazetari – Aktualisht (Kujtimi) ka 7500 metër katrorë, si do të futet?! E ka pasur rrugën egzistuese, si do të futet Kujtimi?

Juristi i Gener 2 – Është një kompani private që merret me ndërtimin, jo institucion shtetëror.

Gazetari – Projekti duhet të kishte të parashikuar që Kujtimi të shkonte te prona.

Juristi i Gener 2 – Projektet i miratojnë instancat shtetërore dhe jo një kompani private. Kompania private bën një rrugë dhe ikën, është suport për qytetarët, për shtetin për të gjitha. Projektin e kanë miratuar institucionet shtetërore.

Gazetari – Është bërë gabim projekti?

Juristi i Gener 2 – Po s’mundem ta gjykoj se s’jam inxhinier unë.

Gazetari – Sipas jush, është bërë gabim projekti?

Juristi i Gener 2 – S’mundem unë ta gjykoj atë.

Gazetari – Ore si do të shkoj sot ky (qytetari) te prona?

Juristi i Gener 2 – S’jam kompetent unë ta gjykoj.

Kryeplaku – Projekti është devijuar 3 herë. Unë, ai e di shumë mirë, që ditën e parë që është nisur rruga i kam thënë këta 17 banorë duan rrugë.

Administratori – Ne kërkojmë çdo person të shkojë në pronë të vetë.

Kryeplaku – Janë 17 banorë që s’kanë rrugë …

Administratori – Siç kanë bërë punimet.

Gazetari – Tani ju thoni që e keni përfunduar të gjithë fazën dhe këta (banorët) të vriten me njëri-tjetrin!

Administratori – Po.

Juristi i Gener 2 – Unë s’jam institucion shtetëror, nuk miratoj as projekte. As nuk bëj asnjë lloj gjëje, as nuk jam ministri, as nuk jam ARRSH. As bëj projekte, as i zbatoj. Unë s’kam fuqinë ta bëj.

Gazetari – Çfarë duhet të bëj Kujtimi? Ti je jurist, çfarë duhet të bëj Kujtimi sot?

Juristi i Gener 2 – Do zgjidhet dhe puna e Kujtimit.

Gazetari – Si?!

Juristi i Gener 2 – Do bëhet rrugë dytësore dhe mbaroj.

Gazetari – Ku dhe kur?

Juristi i Gener 2 – Ku dhe kur s’kemi asnjë gjë të sigurt, se s’mund t’a themi.

Gazetari – Ju keni bërë atë rrugën, si mund të futet? Me marrëveshje nuk bëhet me sa kam kuptuar.

Administratori – Jo, s’bëhet.

Juristi i Gener 2 – Me marrëveshje, s’ka mënyrë tjetër. Këshilli Kombëtar i Territorit të miratojë një projekt dhe ARRSH-ja ta bëjë nga fillimi. Kompania që mund t’a bëjë mund të jetë Gener, mund të jetë ndonjë firmë tjetër, nuk e di se çfarë …

Gazetari – Po dje (inxhinieri) më tha se e kam në projekt këtë. Më the e kam në projekt. Çdo tokë, më the në telefon, çdo tokë, çdo pronë që nuk ka rrugë, ka projekt për të shkuar.

Inxhinieri i Gener 2 – Ashtu, fund e krye. Kjo është rasti i parë ky. Po kjo është fjala e përgjithshme e projektit të realizimit …

Gazetari – Jo fjalë e përgjithshme. Ti marrësh shtëpinë, ta nxjerrësh në rrugë …

Qytetari – Mos të lësh rrugë në tokë.

Gazetari – Kjo është.

Juristi i Gener 2 – Po pse na drejtohesh neve, sikur jemi ministra. S’jemi ministra, s’jemi askush. Mos dukemi sikur ç’a jemi.

Gazetari – Jeni firmë koncesionare. Nuk mund të spostoni të paktën 30-40 metra.

Administratori – Po të bëni diçka tjetër, ku është kanal ta mbushësh me tuba nja 20 metra.

Qytetari – 25 metra është gjatësia.

Administratori – Dhe e mbushim, dhe ngel rruga e këtyre.

Inxhinieri i Gener 2 – Nëse e merr përsipër Gëzimi, aty e marr unë përsipër. Për 10 metra, 20 metra me tuba e bëj unë, mu te kthesa. S’është problem.

Qytetari – Po kaloj rruga te prona ime, aty s’i ndalon më njeri ata (16 të tjerët), që janë mbas meje.

Administratori – Ne e kemi marrë përsipër bashkë me Gener 2 që ta bëjmë këtë punë, rrugën e keni këtu gjithmonë. Llafe me njeri s’ka më. Kjo punë do ta konsumojmë me Rremën, Kujtimin dhe të tjerë. Dhe Ramadanin e kemi këtu.

Inxhinieri i Gener 2 – Po, po.

Qytetari – Unë s’kam.

Administratori – Do të na e bëjë këtë punë që ne të kryejmë punë njëherë dhe përgjithmonë.

 

FOTO GALERI
1/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA