“Shumë e vështirë pa Amerikën”/ Zelensky e thekson: Ukraina ka pak gjasa të mbijetojë pa mbështetjen e SHBA-së

15/02/2025 10:09

Ukraina do ta ketë “shumë, shumë të vështirë” të mbijetojë pa mbështetjet ushtarake të Shteteve të Bashkuara në luftën e saj kundër pushtimit nga Rusia, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një intervistë të transmetuar natën e 14 shkurtit.

“Mbase do të jetë shumë, shumë, shumë e vështirë. Por, natyrisht, edhe në të gjitha situatat e vështira, gjithmonë e ke një mundësi”, tha Zelensky për NBC News.

“Megjithatë, ne do të kemi pak gjasa – pak gjasa për të mbijetuar pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara”, shtoi Zelensky, i cili piritet të mbajë fjalim të shtunën në Konferencën e Sigurisë në Munih.

Ai theksoi gjithashtu se Ukraina e ka rritur prodhimin e armatimit, por jo mjaftueshëm për ta mbuluar atë që do ta humbiste në rast se nuk e ka më mbështetjen e Shtetet e Bashkuara.

Zelensky mori pjesë në një ditë takimesh dhe konferencash për shtyp në Konferencën e Sigurisë në Munih, më 14 shkurt, në një kohë kur përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për luftën në Ukrainë po rriten.

Ai do të jetë në qendër të vëmendjes pasi të takohet me zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë nënpresidentin JD Vance, i cili në fjalimin e tij në konferencë më 14 shkurt theksoi nevojën për “paqe të qëndrueshme dhe afatgjate” në Ukrainë.

Zelensky i tha nënpresidentit Vance se Ukraina dëshiron “garanci sigurie” nga Uashingtoni para fillimit të bisedimeve me Rusinë për t’i dhënë fund luftës gati trivjeçare.

Në intervistë, Zelensky tha se nuk dëshiron të mendojë për mundësinë që Ukraina të mos jetë partnere strategjike e Shteteve të Bashkuara, pasi kjo do të dëmtonte moralin e Ukrainës, por shtoi: “Ne duhet ta mendojmë këtë”.

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar sinjale të përziera për strategjinë e tyre, duke nxitur shqetësime në Kiev se Ukraina mund të detyrohet ta pranojë një marrëveshje të keqe, e cila do t’i jepte guxim Putinit.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, u tha ministrave të mbrojtjes të NATO-s më herët këtë javë se është “jorealiste” të pritet që kufijtë e Ukrainës të kthehen në gjendjen e para vitit 2014 dhe shtoi se Shtëpia e Bardhë nuk e sheh anëtarësimin e Ukrainës në NATO si pjesë të zgjidhjes së konfliktit.

Ukraina kërkon që Rusia të tërhiqet nga territoret e pushtuara dhe thotë se duhet të anëtarësohet në NATO ose të marrë garanci për sigurinë e saj për të parandaluar një tjetër sulm nga Moska.

Duke folur në Varshavë më 14 shkurt, Hegseth paralajmëroi përsëri se partnerët evropianë të SHBA-së në NATO do të duhet të bëjnë shumë më tepër për mbrojtjen e tyre dhe për të siguruar paqe për Ukrainën në të ardhmen./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA