![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/osmani-kurti_sd-800x450.jpg)
Në katër komuna ka përfunduar numërimi i votave për kandidatët për deputetë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka përfunduar numërimi i votave për kandidatët për deputetë në katër komuna, në Han të Elezit, Shtërpcë, Partesh dhe Ranillug.
Numërimi po vazhdon në 24 komuna (Prishtinë, Lipjan, Obiliq, Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Skenderaj, Viti, Kllokot, Mitrovicë e Veriut, Suharekë, Ferizaj, Vushtrri, Kaçanik, Novobërdë, Prizren, Shtime, Junik, Istog dhe Rahovec).
Në Istog dhe Rahovec numërimi ka nisur mëngjesin e sotëm, pesë ditë pas ditës së votimit.
Pasditen e sotme pritet të nis numërimi edhe në Qendrat Komunale të numërimit në Pejë dhe Podujevë.
Deri më 13 shkurt, numri i vendvotimeve të numëruara 389 nga 2533 sa janë gjithsej. Numërimi nuk është planifikuar të nis gjatë së premtes në 8 komuna tjera.
Në total janë 38 komuna, në secilën prej tyre ka nga një Qendër Komunale të Numërimit, pra gjithsej 38 QKN. Në 24 prej tyre po numërohen votat e kandidatëve për deputetë, në katër ka përfunduar numërimi, në dy pritet të nis numërimi gjatë së premtes dhe në tetë të tjera nuk është plainifikuar akoma se kur do nis numërimi.
Në 38 Qendra Komunale të Numërimit do të numërohen 2533 vendvotime (kuti me vota), prej tyre deri më 13 shkurt janë numëruar 389.
Top Channel