![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/download_sd-2-800x450.jpg)
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi të enjten se një takim në Munih mes zyrtarëve të lartë nga Moska, Kievi dhe Uashingtoni, është caktuar të mbahet të premten, më 14 shkurt.
“Nesër mbahet takimi në Munih. Rusia do të jetë atje me përfaqësuesit tanë. Ukraina është e ftuar, gjithashtu”, tha Trump për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë në prag të Konferencës së Sigurisë në Munih.
Ai nuk tregoi se cilët zyrtarë nga këto vende do të jenë pjesë e takimeve, por theksoi se “do të jenë zyrtarë të lartë nga Rusia, Ukraina dhe nga Shtetet e Bashkuara”, për të gjetur një mënyrë për t’i dhënë fund luftës gati trivjeçare.
Shtëpia e Bardhë nuk lëshoi komunikatë për takimin, por u bë e ditur më herët se në konferencën e Munihut do të marrin pjesë nënpresidenti amerikan JD Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio, sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe i dërguari i Trumpit për Rusinë dhe Ukrainën, Keith Kellogg.
Media ukrainase cituan një zëdhënës të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, ta ketë mohuar se ishte planifikuar një takim me përfaqësues rusë.
“Nuk priten bisedime me rusët në Munih”, tha Dmytro Lytvyn, sipas një deklarate të cituar në media.
Vance dhe Rubio do të takohen me Zelenskyn para hapjes së konferencës vjetore, e cila mbledh udhëheqës politikë, oficerë ushtarakë dhe diplomatë në qytetin gjerman. Nuk është e qartë nëse Rubio do të mbërrijë në kohë për një takim të hershëm, pasi avioni i tij ushtarak pësoi një problem mekanik 90 minuta pas nisjes dhe u detyrua të kthehej në Uashington, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce.
Para nisjes, Rubio tha se ai dhe Vance do të takoheshin me Zelensky, “dhe në një moment… do të duhet të angazhohemi edhe me homologët rusë”.
“Natyrisht, ne do të flasim me Ukrainën dhe me të gjithë aleatët dhe partnerët tanë në Evropë dhe në mbarë botën për këtë çështje”, tha Rubio në një intervistë për radio, më 13 shkurt.
Lytvyn theksoi se qëndrimi i Ukrainës mbetet i pandryshuar: Ukraina duhet të bisedojë fillimisht me Shtetet e Bashkuara, ndërsa Evropa duhet të jetë pjesëmarrëse në “çdo bisedë serioze për hir të një paqeje të vërtetë dhe të qëndrueshme”.
“Dhe, vetëm një qëndrim i përbashkët duhet të jetë në tryezë për bisedimet me rusët. Nuk takohemi me rusët në një tryezë boshe. Aktualisht nuk ka asgjë në tryezë”, tha Lytvyn.
Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022 për të mos e lejuar Ukrainën të largohet nga ndikimi i saj dhe të afrohej me Evropën.
Trump tronditi aleatët evropianë kur më 12 shkurt njoftoi se kishte zhvilluar një bisedë telefonike mbi një orë me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe se ata kishin rënë dakord t’i fillonin bisedimet për paqe.
Trump bisedoi edhe me Zelenskyn dhe më 13 shkurt tha se e kishte siguruar atë se ai do ta ketë një vend në tryezën e bisedimeve me Rusinë për t’i dhënë fund luftës.
Më 13 shkurt, Rubio bisedoi me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Andriy Sybiha, për nevojën për një “diplomaci të guximshme” për t’i dhënë fund luftës, sipas një njoftimi të Departamentit të Shtetit.
Në intervistën për radio, Rubio tha se ka “shumë çështje të ndërlikuara që duhet të diskutohen”, përfshirë pretendimet territoriale, kontrollin e armëve, gjuhën dhe çështjet kulturore.
“E gjithë kjo do të duhet të zgjidhet” së bashku me “garanci të qëndrueshme sigurie për Ukrainën”, tha ai, duke shtuar se evropianët do të duhet të jenë të gatshëm ta marrin përgjegjësinë për këtë.
“Është një punë e vështirë, por dita e djeshme ishte hapi i parë në një rrugëtim të gjatë që na pret”, tha ai, duke iu referuar telefonatës së Trumpit me Putinin.
“Do ta përsëris atë që tha presidenti… vrasjet dhe vdekjet duhet të ndalen në Ukrainë”, theksoi ai./REL
Top Channel