Protesta për repartin në Greqi, nuk ndalen tubimet e banorëve në kufi me Shqipërinë: Ndihemi të pasigurt

14/02/2025 22:27

Qindra qytetarë, organizata dhe banorë me origjinë nga Thesprotia kanë hedhur parulla dhe kanë protestuar jashtë Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj vendimit të qeverisë për mbylljen e repartit ushtarak të  Batalionit 628 të Këmbësorisë në Filiat dhe ndryshimeve të pranisë ushtarake në Epir.

Me flamuj grekë ,por edhe të zinj ata kanë kërkuar edhe njëherë  të mos mbyllet kjo njësi, e cila, siç thonë, është e vetmja forcë ushtarake greke në të gjithë prefekturën e Thesprotisë dhe në kufirin me Shqipërinë.

Në protestë kanë marrë pjesë kryetarët e tri komunave të Thesprotisë, si dhe përfaqësues të Administratës Civile nga Arta, të cilët shprehen të shqetësuar për të ardhmen e Qendrës së Rekrutëve të rinj të ushtrisë në këtë qytet.

Kryebashkiakët patën një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë, Antonis Oikonomou, të cilit i dorëzuan rezolutat e organeve vendore dhe i paraqitën argumentet në favor të mbajtjes hapur të repateve ushtarake.  U theksua rëndësia strategjike e Batalionit 628 të Këmbësorisë, pasojat ekonomike dhe sociale të mbylljes eventuale të tij, si dhe nevoja për të ruajtur praninë ushtarake në rajonet kritike të Epirit, raporton korrespondenti i Top Channel në Greqi Aleksandër Marku.

Megjithëse nuk kanë marrë asnjë përgjigje zyrtare, pasi edhe vetë ministri Dhendias, nuk ndodhej në Athinë, përfaqësuesit e Thesprotisë bënë të qartë se përpjekjet e tyre do të vazhdojnë me presion ndaj Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare dhe duke kërkuar angazhime të qarta për të ardhmen e strukturave ushtarake në këtë rajon të vendit .

Pas një jave protestash, në Athinë, Igumenicë dhe Filiat , pritet të mblidhet sërish Këshilli Bashkiak i kësaj komune për të vendosur vazhdimin dhe formën e tyre, ndërsa çështja e mbylljes së reparteve do të trajtohet edhe në mbledhjen e përgjithshme të këshillit të Prefekturës të martën e ardhshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA