“Prokurori i fiksuar pas fustaneve të gruas sime”, Veliaj kapet me Ols Dadon dhe gjyqtarin Bani: Thertorja e adashit tim…

14/02/2025 14:02

Nga qelia e paraburgimit në Durrës ku mbahet që prej ditës së djeshme pasi u la në arrest me burg nga GJKKO, kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk i ka kursyer akuzat ndaj prokurorit Ols Dado dhe gjyqtarit Erion Bani.

Në një reagim të bërë në rrjetet sociale, Veliaj shprehet se e vërteta për blerjet online nuk është siç thotë “prokurori i fiksuar pas fustanëve të gruas sime”.

Madje Veliaj pretendon se gjatë marrjes në pyetje, prokurori që i ka treguar sesi e kontrollonte bashkëshorten e tij, e ka pyetur Velian edhe se “çfarë ha”.

Unë i mirëkuptoj të gjithë ata që neveriten kur shikojnë se si dalin nga gjirizet mediatike fustanët e sime shoqeje. Por, a ma thotë dot kush, ku është maunia me gati 1 milion Euro mall?

Se për 1 milion Euro mall duhet një dyqan si ai i brekëve dhe sutjenave të nuses së Sali fundërrinës në Bllok apo jo? Përderisa edhe lavamanët i shkulën nga vendi në gjithë ambientet në Tiranë e në Golem, për të kërkuar ndonjë varëse floriri të fshehur, në mure e dysheme, ku dihet botërisht se jetojmë në pallat të ndërtuar në vitin 2012 (kam hyrë në atë apartament kohë më parë se sa të bëhesha kryetar bashkie, leje e Komunës Farkë e Bardh Plakut, as e dhënë nga unë vetë), atëherë duhet t’i kishin provat materiale besoj, apo jo? Kanë blerjet online do thoni ju.

Por, ja që e vërteta nuk është ashtu si thotë prokurori i fiksuar pas fustanëve të gruas time, që gjatë intervistës më tregonte se si kontrollonte gruan e tij dhe më pyeti edhe “çfarë hamë?”.

Po po, e lexuat mirë, çfarë hani ju tha! Pa merak, se do ju’a tregoj edhe këtë, këtu jemi! U pa puna, ata me letra anonime dhe metoda sigurimse, unë me letra nga burgu, ku më morën peng pa gjyq”-shkruan Veliaj.

Në reagimin e gjatë, Veliaj shton se “është i marrë peng” pasi është akoma i dyshuar dhe nuk ka asnjë akuzë të vetme kundër tij.

Prokurorin Ols Dado Veliaj e quan “sigurims” dhe shprehet se ka kërkuar largimin e këtij të fundit nga çështja.  Për gjyqtarin Erion Bani Veliaj thotë “për adashin tim gjykatës s’kam çfarë them fare. I bërë njësh me prokurorin dhe i paduruar që t’i jepte Sali fundërrinës lajmin e mirë të pengmarrjes time pa gjyq”.

Po si është e vërteta? E vërteta ime do të dalë e gjitha, jini të bindur. Por, mundohuni të kuptoni, se sa më e vështirë bëhet kjo betejë krejt e pabarabartë, kur të marrin peng, siç më kanë marrë mua, dhe flasin vetëm ata, duke furnizuar gjirizët me “faktet” e tyre të njëanshme.

Unë jam akoma person i dyshuar, se s’më kanë marrë dot të pandehur, ngaqë nuk kanë një fakt të vetëm, as në dosjen prej sigurimsi të Ols Dados. Aty nuk gjendet dot një rresht ku të thuhet se i kam kërkuar apo marrë rryshfet dikujt ose se është gjetur ndonjë lek i pajustifikuar. Por, ndërkohë unë akuzohem për korrupsion. A nuk duket se më kanë mbyllur brenda, pikërisht që të mos ballafaqohesha me “faktet” e me gazetarët “kompetentë”, që furnizohen nga prokurorët edhe përpara avokatëve? Gjejani vetë përgjigjen kësaj pyetjeje, se ndryshe nga Ols violina dhe gjithë fyejt e qemanetë e gjirizëve, unë nuk ngre akuza pa prova.

Në thertoren e Erjon Banit – se vetëm sallë gjyqi nuk qe – kërkova që Ols Dado të largohet nga çështja dhe të futet në dosje si një prokuror që ka përdorur telefonin e paguar nga taksat për të kërkuar leje ndërtimi për veten e tij. Ndërsa, për adashin tim gjykatës s’kam çfarë them fare. I bërë njësh me prokurorin dhe i paduruar që t’i jepte Sali fundërrinës lajmin e mirë të pengmarrjes time pa gjyq. Bekime e përqafime të gjithëve, mbani besimin dhe kokën lart për Tiranën tonë që ka nevojë për energjitë pozitive të secilit, pavarësisht rrethanave të momentit! Forca!”-përfundon Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA