Kurti dhe Osmani takojnë Sorensen/ Biseda me emisarin e ri për dialogun, kryeministri i ankohet për Serbinë

14/02/2025 20:53

Gjatë qëndrimit në Mynih në kuadër të Konferencës për Siguri liderët shtetëror të Kosovës kanë takuar të dërguarin e ri të Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në takim me Sorensen tha se temë diskutimi ishin zhvillimet e fundit në Kosovë dhe pritshmëritë nga dialogu i Brukselit.

“Do të vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë që ky proces të përmbyllet me njohje të ndërsjellë dhe mbrojtjen e sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe integritetit territorial të Republikës sonë”, ka shkruar presidentja.

Përveç Osmanit, emisarin e ri të dialogut e ka takuar edhe Kryeministri i Kosovës në detyrë Albin Kurti.

Në njoftim bëhet e ditur se kryeministri theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit të vitit 2023 dhe aneksit të saj, duke shtuar se kjo marrëveshje po vazhdon të shkelet nga Serbia.

“Kjo marrëveshje po vazhdon të shkelet e të mos respektohet nga Serbia, e cila gjithashtu refuzon nënshkrimin e saj dhe përmes letrës së ish-kryeministres Bërnabiç, praktikisht Serbia është tërhequr nga marrëveshja”, bëhet e ditur në njoftim.

Mes tjerash, nga Kryeministria njoftohet se Kurti i ka paraqitur Sorensenit tri kërkesa për Serbinë në mënyrë që të vazhdohet përpara.

“Për të ecur përpara nevojitet nënshkrimi i marrëveshjes, tërheqja e letrës së ish-kryeministres Bërnabiç dhe dorëzimi i kryeterroristit Millan Radoiçiç, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës”, thuhet tutje.

Kryeministri Kurti tha se është absurde që Presidenti i Serbisë ia imponon dorëheqjen kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviç, por nuk e dorëzon Radoiçiçin.

Kosova dhe Serbia janë në dialog për normalizim të marrëdhënieve që nga viti 2011.

Në shkurt të vitit 2023, palët arritën marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve dhe aneksin e saj në Ohër, por që nuk po zbatohet.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA