![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/Still0213_00019-800x450.jpg)
Banorët e lagjes ‘Kapanone’, në Gjadër të Lezhës, kanë denoncuar përmes emisionit “Fiks Fare” gjendjen e rënduar të rrjetit elektrik në zonën e tyre.
Sipas tyre, linja që furnizon rreth 70 familje është instaluar para 20 vitesh dhe është amortizuar, duke shkaktuar dëme të shumta materiale dhe rrezik për jetën e tyre.
Banorët tregojnë se telat përcjellës kanë marrë flakë disa herë, ndërsa tre vite më parë si pajojë e rrjeti të amortizuar u dogjën e tre banesa.
Për shkak të tensionit të ulët dhe furnizimit të dobët, shumë pajisje elektro-shtëpiake janë dëmtuar.
Ata pretendojnë se janë korrekt me pagesat për sa i përket energjisë elektrike dhe nuk kanë detyrime ndaj OSHEE-së, por problemi nuk është adresuar ende.
Në kërkim të një zgjidhjeje, kanë bërë ankesa në institucionet përgjegjëse, por nuk kanë marrë përgjigje. Administratori i Njësisë Administrative Dajç deklaroi se nuk ka dijeni për këtë problem dhe se nuk është në kompetencat e tij të merret me çështje të tilla.
Nga ana tjetër, Drejtori i Zyrës së Shtypit të OSHEE-së, Ardi Kola, pranoi se problematika në Gjadër është e njohur dhe se janë marrë masa për ndërhyrje.
Sipas tij, është hartuar një projekt për rikonstruksionin e rrjetit dhe është dërguar për miratim pranë Drejtorisë Rajonale të Shkodrës.
Pas miratimit të kërkesës për bazën materiale, do të nisë vendosja e shtyllave të reja dhe instalimi i kabllove të standardit “ABC”, që sigurojnë një furnizim më cilësor dhe të sigurt.
“Ne kemi ndërhyrë sa herë ka pasur defekte, por këto kanë qenë zgjidhje të përkohshme. Shqipëria ka hyrë në një fazë investimesh dhe kjo zonë është pjesë e planit të OSHEE-së.
Pasi të marrim miratimin e Drejtorisë Rajonale të Shkodrës, punimet do të nisin dhe pritet të përfundojnë brenda dy javësh, nëse kushtet atmosferike janë të favorshme”, tha Kola.
Top Channel