Telefonata “e gjatë dhe shumë produktive” e presidentit amerikan Donald Trump me homologun e tij rus Vladimir Putin ka ngjallur frikë në Evropë për një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë me kushte të favorshme për Moskën pa përfshirjen e Kievit.
Presidenti Volodymyr Zelensky tha sot se Ukraina nuk do të pranonte një marrëveshje paqeje të negociuar vetëm nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia. Ai shtoi se ishte “jo e këndshme” që Trump foli me Putinin përpara se të telefononte Kievin, duke vënë në rrezik politikën që është ndjekur gjatë tre viteve të pushtimit Rus “asgjë në lidhje me Ukrainën pa Ukrainën”.
Kaja Kallas, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, paralajmëroi kundër një “rregullimi të shpejtë” dhe një “marrëveshjeje të ndyrë” për t’i dhënë fund luftës, duke thënë se Evropa dhe Ukraina duhet të jenë në tryezë për bisedime, sepse asnjë marrëveshje paqeje nuk mund të zbatohet pa përfshirjen e tyre.
Për anëtarët evropianë të NATO-s e ardhmja duket papritur shumë më e pasigurt. Që nga themelimi i aleancës, Evropa është mbështetur në fuqinë bërthamore amerikane, vendosjen e kontigjentëve ushtarak në Evropë dhe buxhetin e madh të mbrojtjes së SHBA-së.
Telefonata e Trump me Putinin dhe njoftimi i tij pasues se negociatat do të fillonin menjëherë për arritjen e një marrëveshjeje në Ukrainë, i verboi liderët evropianë dhe i kërcënoi se do t’i linte ata të financonin dhe mbikëqyrin çdo zgjidhje tyren.
Me fjalë të tjera, Uashingtoni do negociojë marrëveshjen (dhe mund të paguhet me mineralet e rralla të tokës nga Ukraina siç ka kërkuar Trump), dhe Evropa do të marrë faturën.
Sekretari i sapo emëruar i Mbrojtjes në SHBA-së, Pete Hegseth, u tha aleatëve të NATO-s në Bruksel se trupat evropiane dhe jo-evropian, por jo amerikane do të duhej të kontrollonin çdo marrëveshje midis Ukrainës dhe Rusisë. Kishte gjithashtu një mohim të aspiratave të Ukrainës për t’u bashkuar me aleancën. Hegseth tha se Uashingtoni “nuk besonte se anëtarësimi në NATO për Ukrainën ishte një rezultat realist”.
“Anëtarësimi në NATO nuk është domosdoshmërisht diçka që duhet negociuar me Rusinë. Është një vendim për aleatët që duhet të merret në kohën e duhur.”, tha një zyrtar i NATO-s. Zyrtari këmbënguli se “pozicioni i aleancës nuk ka ndryshuar dhe Ukraina është ende në rrugën e anëtarësimit”.
Top Channel