![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2024/07/veliaj_sd-1-800x450.jpg)
Prokurori antikorrupsion, Ols Dado kërkoi dënimin e ish-kryebashkiakut të Himarës.
Për Jorgo Goron, që akuzohet për shpërdorim detyre në bashkëpunim, të kryer në dy raste dhe deklarim të rremë pasurie, u kërkua dënimi i tij me 3 vjet burgim.
Veç kësaj, prokurori Dado kërkoi edhe konfiskimin e një apartamenti në Tiranë, për të cilin hetimet ngrenë dyshime se ish-kryebashkiaku i Himarës është pronar faktik i kësaj pasurie. Gjatë pretencës, SPAK i bëri vetëm një lëshim ish-kryebashkiakut, i cili prej afro një vit është në burg që ishte sugjerimi ndaj gjykatës, që të heqë sekuestron ndaj një telefoni.
Gjatë pretencës, u kërkua shpallja fajtor edhe e Jerasim Bashos dhe dënimi i tij me 3 vjet burg, si edhe e Vezir Gjikokaj me dy vjet burgim. Të tre ish-zyrtarët dyshohen se në bashkëpunim me persona të tjerë tjetërsuan përmbi 10 mijë metra katrorë tokë shtet, të cilat përmes dokumenteve të falsifikuara ia kaluan në pronësi Stavri Mëhillit, i cili është në kërkim.
Në finale, toka kaloi në pronësi të ish-deputetit socialist Artan Gaci. Me kërkesë të SPAK, kjo sipërfaqe duhet të konfiskohet e të kalojë në favor të shtetit.
Jorgo Goro është i pandehur edhe për një tjetërsim tjetër toke, që kësaj radhe ka ndodhur në favor të ish-kryebashkiakut Arqile Bollano.
Top Channel