KE, Gjermania, Britania e të tjerë zotohen të punojnë me SHBA-të për të ardhmen e Ukrainës

13/02/2025 07:34

Vendet evropiane, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Britaninë, si dhe Komisioni Evropian lëshuan një deklaratë të përbashkët të mërkurën në mbështetje të Ukrainës dhe thanë se do të bashkëpunojnë me Shtetet e Bashkuara për të ardhmen e saj.

“Ne presim të diskutojmë mbi rrugën përpara, së bashku me aleatët tanë amerikanë. Objektivi ynë i përbashkët duhet të jetë forcimi i pozicionit të Ukrainës”, thuhej në deklaratën, që përfshinte gjithashtu Poloninë, Italinë dhe Spanjën.

Presidenti Donald Trump diskutoi për luftën në Ukrainë të mërkurën në telefonata të veçanta me Presidentin rus Vladimir Putin dhe Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, hapi i parë madhor diplomatik i presidentit amerikan për një luftë të cilën është zotuar se do ta ndalë.

Pasi bisedoi me Putin për më shumë se sa një orë, Trump tha se udhëheqësi rus, i cili nisi sulmin në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës në 2022, mbështet dhënien fund të luftës dhe se ata kishin diskutuar për “arritjen e një armëpushimi në një të ardhme jo shumë të largët”.

“Ai do që lufta të marrë fund. Ai nuk do që lufta të ndërpritet dhe luftimet të rikthehen sërish pas 6 muajsh”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

“Mendoj se jemi në rrugën drejt arritjes së paqes. Mendoj se Presidenti Putin do paqe, Presidenti Zelenskiy do paqe, unë dua paqe. Thjesht dua që të mos shoh më njerëz të vriten”, shtoi Presidenti amerikan.

Trump ka deklaruar prej kohësh se synon që t’i japë fund luftës në Ukrainë, por pa dhënë detaje se si mund ta arrijë këtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA