Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani tha sot në Kuvend se shteti është përgjegjës për vetëvrasjen e një 17 vjeçareje në Gjirokastër dy ditë më parë.
“E vrau shteti se ajo nuk kishte mundësi të vishej si shoqet e saj. Kjo ngjarje do kishte mjaftuar që sot të kish dhënë dorëheqjen kryeministri dhe qeveria e tij”, u shpreh Dogjani gjatë interpelancës së kërkuar me ministri e Brendshëm.
Në përgjigje të akuzave të deputetit të opozitës, Hoxha akuzoi Dogjanin se po bën politikë me vdekjen.
“Të bësh politikë me vrasje dhe drama familjare është kur nuk ke çfarë të thuash. Për rastin e Gjirokastrës, kjo është një dramë familjare dhe jo varfërie. Është dëshpëruese dhe jopolitike që merreni me drama familjare”, tha Hoxha.
Debati
Dogjani: Një vajzë 17 vjeçare në Gjirokastër i dha fund vetes dje, duke u vetëvarur se ishte e varfër. Bullizohej nga shokët dhe shoqet e klasës. Nuk e vranë grupet kriminale, por e vrau kreu i organizatës, Edi Rama se e la të varfër. E vrau shteti se ajo nuk kishte mundësi të vishej si shoqet e saj. Kjo ngjarje do kishte mjaftuar që sot të kish dhënë dorëheqjen kryeministri dhe qeveria e tij. Në 2024 numri i ekzekutimeve mafioze ka arritur shifra alarmante. Vrasësi i vërtetë është ai që e nxit dhe ai që mbron krimin. Para dy ditësh Rama përplasi tavolinën me grusht duke përdorur një fjalor banal. Ministri i Brendshëm nuk ka forcë të kontrollojë territorin, është një fasadë që kryeministri të kontrollojë gjithçka.
Kemi kryeministër që sillet me brekë nëpër këmbë nëpër zyrat e shtetit, e ka thënë zv ministri, sepse dukshëm nuk është mirë nga koka.
Spiropali: Përfundo fjalën. Mos guxoni të flisni mbi fyerje e shpifje.
Dogjani: Mbylle ti gojën. Po them atë që kanë thënë bashkëpunëtorët tuaj.
Spriopali: Është e papranueshme që të fyeni zyrtarë të lartë, kryeministrin, ministra apo deputetë.
Ervin Hoxha: Nuk e kuptova përse ishte interpelanca. Të bësh politikë me vrasje dhe drama familjare është kur nuk ke çfarë të thuash. Për rastin e Gjirokastrës, kjo është një dramë familjare dhe jo varfërie. Është dëshpëruese dhe jopolitike që merreni me drama familjare. Ngrini pretendimin se sot ka shumë vrasje, ka më pak siguri dhe më pak zbulueshmëri nga policia e shtetit. Nga 2013 deri sot ka një rënie të numrit të vrasjeve duke shënuar një rekord të minimumit historik në dy vitet e fundit. Në 2024 kemi pasur 41 vrasje dhe 33 vrasje në 2023, kundrejt 126 vrasje në 2012. Janë zbuluar 86% e veprave penale vrasje me dashje në 2024.
Top Channel