Bullizimi në shkolla, fenomeni mes adoleshentëve po bëhet shumë shqetësues në shkolla

13/02/2025 19:54

Në çdo institucion arsimor të shkosh bullizmi është aty, del në pah nga vëzhgimi i Top Channel.

Këto pamje të një nxënëseje të veçuar në shkollën 9-vjeçare “Bajram Curri”, teksa të tjerët luajnë në oborrin e shkollës, nuk janë të rralla.

Pse po rri vetëm?

Nxënësja: Se skam njeri. Më thonë që ik se s’të kam shoqe. Është një gocë që ajo e bën të gjithën këtë. Dhe mësuesja e di, ju bërtet por ato prapë ashtu bëjnë.

Të pyesësh çdo fëmijë, dëgjon histori pafund të sjelljeve të përsëritura për të turpëruar nxënësit e shënjestruar, por që kalojnë pa u trajtuar me prioritet nga arsimtarët për të ndaluar fenomenin. Si për shembull në shkollën e kuqe  një nxënës i bullizuar e ka gjetur zgjidhjen te largimi.

Vjet kam pasur një djalë që bullizohej nga dy veta në klasë, ka qenë pak i shkurtër dhe shumë i qetë. Bullizohej nga mënyra e veshjes dhe syzet. Edhe pse mësuesit i flisnin dy djemve që bullizonin, e çonin në komisionin e etikës dhe drejtori ata prapë nuk kanë reflektuar dhe përfundoi që ky nxënësi që bullizohej iku nga shkolla”, shprehet një tjetër nxënëse.

Disave ju ndodh të përjetojnë në përditshmërinë mësimore, shigjetimin në grup, si rasti i kësaj nxënëseje me prindërit e divorcuar.

“Fillojnë ngacmojnë, shih mamin e babin tënd. Edhe kur vijnë të më marrin thonë të erdhi njerku”, shprehet një tjetër nxënës.

Por format e bullizmit janë të ndryshme, nga racizmi, ndryshimet e pubertetit, gjendja ekonomike.. Teknologjia ka shtuar edhe bullizmin kibernetik, ku postohen fotografi denigruese ndaj nxënësve më të ndrojtur në rrjete sociale.

Tallin njëri tjetrin jo fytyra kështu, ashtu për pamjen fizike, puçrrat. O katërfenersh i thonë, d.m.th. katërsysh. Një shoqe nuk e përfillin fare te klasa, është e zezë. Mos rrini me të më thonë se pastaj do rri unë me ty. Distancohet, ndihet keq normal se 30 veta që e bullizojnë e bëjnë të tërhiqet e të futet e në depresion”, shprehet nxënësi.

Familjarët ngrenë alarmin e rritjes së rasteve të bullizmit që shkojnë deri në fatalitet, duke kërkuar bashkëpunim mes prindërve e mësuesve për një kujdes më të shtuar ndaj shëndetit mendor.

Pasojat që kemi dëgjuar që kanë shkuar deri në vetëflijim prej bullizmit, na shqetësojnë shumë. Nënvlerësohet dhe nga mësuesja se ka ardhur kohë e vështirë. Mësuesja s’do debate mes prindërve, se të gjithë mbrojnë fëmijën jo se bën fëmija im”, shprehet qytetarja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA