“Sa të jem unë, PS nuk do japë pafajësi, por s’do heshtim”/ Rama: E papranueshme që kryetarja e komisionit të Ligjeve e merr vesh nga media…

12/02/2025 09:15

Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka po sqaron para Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste pozicionin e saj pasi u mor në hetim nga SPAK për dosjen e Veliajt, ku i pranishëm në mbledhje është edhe kryeministri Edi Rama.

Teksa ritheksoi se PS mbështet drejtësinë në lugrën korrupsionit, kryecocialisti Rama tha se është e pakonceptueshme që Kryetarja e Komisionit të Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë, e përfshirë në atë “roman 400 faqe, e merr vesh nga televizori”.

Kjo është e papranueshme tha Rama, teksa u shpreh sesa të jetë ai në krye të PS , “kjo forcë politike nuk do të marrë përsipër të japë pafajësi për askënd që hetohet nga drejtësia, por ama, ndryshe nga deri dje, sot e tutje kjo forcë politike nuk do të heshtë përballë shkeljeve flagrante të standardeve”.

Dua ta bëj shumë të qartë që qëndrimi ynë lidhur me mbështetjen pa rezerva të çdo procesi të  drejtësisë, të institucioneve të reja të drejtësisë, të cilat kanë detyrën të bëjnë luftë pa kompromis kundër korrupsionit mbetet një qëndrim i pandryshuar.

Ajo që ndryshon është qe ne kemi detyrën të kontribuojmë jo thjeshtë me mbështetjen e padiskutueshme institucionale dhe politike ndaj institucioneve të reja të drejtësisë, por edhe me opinionet tona në mënyrë që pavarësia e panegociueshme e prokurorëve dhe gjykatësve të jetë sa më e lidhur me profesionalizmin dhe me garantimin e standardeve demokratike të çdo procesi.

Në të kundërt, ne biem në një situatë që ngjan më shumë me të shkuarën sesa me të ardhëm. Pse sepse diktaturë apo republikë hetuesish, Shqipëria ka pasur në të shkuarën.

Kjo është një republikë parlamentare, ku në bazë të Kushtetutës pushtetet janë të pavarura.

Pra, nuk është vetëm drejtësia e pavarur nga legjislativi dhe nga ekzekutivi, por është edhe legjislativi dhe ekzekutivi të pavarur nga pushteti i drejtësisë. Janë tre pushtete që operojnë në kornizën e tyre kushtetuese.

Në të shkuarën kështu veprohej në letër, por kishte një ombrellë që ishte diktatura e proletariatit, e cila funksiononte përmes diktaturës së hetuesve.

Sot, kjo është në letër, kjo duhet të jetë në realitet dhe këtu kemi një problem dhe këtu duhet të marrim një përgjegjësi për faktin se sot në debatin publik ka vetëm dy palë; njëra që duartroket dhe brohoret sa herë që shfaqet “gijotina”. Sipas asaj pale të gjithë janë për burg, të gjithë janë për litar, të gjithë janë për t’u vrarë dhe tjetra është pala që sulmon në mënyrë banditeske organet e reja të drejtësisë dhe që shënjestron me libër shtëpie prokurorët dhe gjykatësit që bëjnë detyrën e tyre, duke filluar nga drejtuesi i SPAK, i cili ka të gjithë mbështetjen dhe solidaritetin tonë sa i përket të gjithë baltës që ka marrë dhe merr familjarisht. Por, mungon një pozicion konstruktiv, mungon një palë konstruktive që duhet të jetë edhe garantë e pavarësisë së gjyqësorit, por duhet të jetë njëkohësisht edhe garante e lirive, të drejtave, standardeve demokratike sepse siç thashë, përndryshe biem në kurthin e të kaluarës dhe për mua është e pakonceptueshme që Kryetarja e Komisionit të Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë, pa hyrë fare në meritën e çështjes, pa diskutuar fare se a ka apo nuk ka të drejtë akuza që e përfshin në atë roman thuajse 400 faqe, e merr vesh nga televizori dhe e merr vesh duke dëgjuar gazetarët specialë sepse ne kemi Prokurori Speciale, kemi Gjykatë Speciale, kemi dhe disa gazetarë specialë, të cilët disponojnë sekrete hetimore, të cilët disponojnë ushqim që u vjen nga stacioni i trenit për t,u hedhur në pazarin e madh të gjësë së gjallë dhe për t,u bluar pastaj në ato udhëkryqet e rrugaçërisë nokturne ekran më ekran.

Kjo është e papranueshme.

As dje, as sot dhe as nesër, deri kur unë do të jem në krye të kësaj force politike të paktën, kjo forcë politike nuk do të marrë përsipër të japë pafajësi për askënd që hetohet nga drejtësia, por ama, ndryshe nga deri dje, sot e tutje kjo forcë politike nuk do të heshtë përballë shkeljeve flagrante të standardeve dhe brutalitetit të kujtdo qoftë që ushtrimin e forcës së konsoliduar tanimë të pavarësisë, sepse vetëm një idiot apo një maskara mund të thonë paskëtaj që ne kontrollojmë drejtësinë. Jo, ne kemi marrë zyrtarisht certifikatën që duart tona janë larg fare drejtësisë, ama ne nuk jemi këtu hunj gardhi që thjesht dhe vetëm të përcjellim lajme, të japim mbështetje pafund dhe të mos themi asgjë kur biem në gjurmë, me ose pa dashje të episodeve si ky.

Minimalisht kryetarja e komisionit të ligjeve duhej thirrur dhe duhej pyetur.”-u shpreh Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA