![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/01/shkoder-policia_sd-800x450.jpg)
Kryeministri Edi Rama, vuri në pikëpyetje veprimtarinë e SPAK, kur pyeti nëse “pavarësinë do e përdorë për të bërë drejtësi apo do të bëjë politikë”.
Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS-së, ku kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka sqaroi pozicionin e saj pasi u mor në hetim nga SPAK, Rama ngriti shqetësimin nëse “do t’ia dalim ta bëjmë të pakthyeshme reformën në drejtësi”.
“E fundit, që kam është një ngushëllim për veten time dhe për ju bashkë me mua, që i keni hyrë detit në këmbë, që është mirë ta ndaj me ju. Kemi marrë përsipër të jemi në pushtet dhe brinjët t’ia lemë në dispozicion drejtësisë. Nuk kam pishman. E vetmja pyetje është a do t’ia dalim ta bëjmë të pakthyeshme reformën në drejtësi. A do t’ia dalim që institucionet e drejtësisë të përdorin pavarësinë për të bërë drejtësi apo do të bëjnë politikë. Meqë njërin po e lemë në ballkon, të shkojmë të kapim tre nga këta. Të shkojmë të kapim njërin për diplomë”.
SPAK ka mbledhur aparatet celularë të gjithë Shqipërisë, tha Rama, ndërsa paralajmëroi Prokurorinë e Posaçme mos të bëjë të njëjtën gjë me celularin e tij.
“Mos të bëjnë gabim të vijnë të kërkojnë telefonin tim, boll i kanë. Kanë mbledhur të gjithë telefonat e Shqipërisë. Në vazhdën e indeksit të perceptuar të korrupsionit, Shqipëria dje doli në Transparency International në pozicionin më të mirë që ka qenë ndonjëherë për luftën kundër korrupsionit. Kur ka dalë keq, është bërë lajm, kanë dalë nëpër konferenca, kanë bërë emisione, për këtë s’e di a doli gjëkundi”.
Top Channel