Vrasja e Briken Sanajt te Kodra e Diellit, prokuroria dërgon për gjykim Vladimir Kolën dhe katër të pandehurit

10/02/2025 12:56

Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim shtetasin Vladimir Kola për vrasjen e Briken Sanajat, ngjarje e ndodhur më 3 tetor të vitit 2022, te Kodra e Diellit në Tiranë.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha raporton se prokuroria ka dërguar për gjykim edhe katër të pandehur, për veprën penale ‘Moskallëzim krimi’ e ‘Përkrahje të autorit të krimit’.

Kola u arrestua në Gjermani më 16 prill të vitit të kaluar. Ai ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për plagosje me pasojë vdekjen, keqtrajtim, vrasje, armëmbajtje pa leje dhe eksploziv.

Njoftimi:

Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq shtetasin V.K., për ‘Vrasje me paramendim’ tek kompleksi ‘Kodra e Diellit’ dhe katër të pandehur të tjerë

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq për ‘Vrasje me paramendim’ dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve’ shtetasin V.K. për vrasjen e shtetasit B.S. në kompleksin ‘Kodra e Diellit’ më 30.10.2022.

Po kështu, Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq dhe katër shtetasit e tjerë, Gj.K., K.A., E.H., dhe Z.K. për veprën penale ‘Moskallëzim krimi’ e ‘Përkrahje të autorit të krimit’.

Nga hetimet e procedimit penal nr.7911, 2024 nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, rezultoi se vëllai i viktimës në vitin 2012 është konfliktuar me vëllezërit e autorit, pasi i kanë ngacmuar të fejuarën.

Në përfundim të hetimeve mbi ngjarjen e tetorit 2022 ku shtetasi B.S. u qëllua me armë zjarri, këqyrjes së kamerave, vendit të ngjarjes dhe administrimit të aktekspertimeve, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, arriti në konkluzionin se i pandehuri V.K., ka udhëtuar nga Barcelona në drejtim të Aeroportit të Podgoricës dhe ka hyrë në Shqipëri në mënyrë të paligjshme pa u regjistruar në pikën e kontrollit. Pas kësaj ai ka blerë një automjet duke përdorur target e një mjeti tjetër, i cili pas vrasjes së shtetasit B.S. është gjetur i djegur në fshatin Domje. Brenda tij është gjetur arma e krimit, ndërsa autori ka kaluar sërish në Mal të Zi në mënyrë të paligjshme.

Sa më sipër, prokuroria kërkon dërgimin në gjyq për të pestë të pandehurit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA