![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/01/Still0131_00003-800x450.jpg)
Policët parkojnë automjetet private kudo që të mundin edhe pse shkelin rregullat.
Ata përdorin stema, tabela, kapele, simbole të policisë së shtetit madje edhe numrat e telefonit që nisin me 41, vetëm e vetëm për të shmangur gjobat. Fiksi bëri një vëzhgim nëpër rrugë të Tiranës kryesisht pranë komisariateve, rrugëve përreth tyre, si dhe parkingjeve të rezervuar për resident.
Vëzhgimi fillimisht filloi mbrapa Komisariatit Nr.4 në Tiranë, ku sinjalistika në këtë rrugë tregon ndalim qëndrimi dhe parkimi në të dyja anët e saj me dy sense. Por ndryshe duket në realitet, ku të dyja korsitë e rrugës janë të bllokuara nga parkimi i makinave private të punonjësve të policisë. Kjo kuptohet se në xhamat e tyre kanë vendosur stema, tabela , pra simbole të policisë së shtetit për të mos u gjobitur.
Madje kamera e Fiksit evidentoi se përveç simboleve të policisë kanë edhe fletë gjobe fiktive, për të treguar se janë gjobitur për shkeljen që kanë kryer. Po në këtë rrugë dy makina ishin parkuar edhe mbi vizat e bardha duke bllokuar kështu edhe kalimin e këmbësorëve. Të dyja makinat ishin me targa të huaja, por mbanin stampën e policisë së shtetit.
Në këto kushte gazetarët e Fiksin telefonuar policinë rrugore, të cilët në ardhjen e tyre shpjeguan se të gjithë drejtuesit e këtyre mjeteve ishin në shkelje të qarkullimit rrugorë. Ata filluan të vendosin masa administrative ndaj të gjitha automjeteve të parkuara në këtë rrugë, përfshirë këtu edhe automjetet që kishin vendosur sisteme pamore shtesë në kundërshtim me ligjin.
Të njëjtën situatë kamera e Fiksit fiksoi edhe në Drejtorinë e Policisë Tiranë. Edhe këtu punonjësit e policisë kishin parkuar dhe qëndruar mjetin në kundërshtim me rregullat e qarkullimit rrugorë. Këto mjete mbanin sipër stema, kapele dhe simbole të policisë së shtetit. Parkimi i tyre ishte edhe tek vendet e rezervuara për rezidentët.
Tabloja është e njëjtë edhe për Komisariatet Nr.3, 2 dhe 1.
Tek rruga kryesore ku ndodhet Komisariati Nr. 3, rrugë me dy sense kalimi dhe me sinjalistikë ndalim qëndrimi dhe parkimi, është pothuajse e bllokuar nga parkimi i mjeteve private të punonjësve të policisë. Makinat kanë shenja dalluese si stema dhe simbole të tjera të policisë për t’i shpëtuar masave administrative.
Tek Komisariati Nr 1 dhe 2 mjetet private të policëve janë parkuar tek vendet e rezidentëve, nuk mungojnë edhe parkimet mbi trotuar.
Top Channel