Psikiatri, aty ku shkelen të drejtat! Raporti i KLSH: Spitalet për personat me çrregullime të shëndetit mendor, të mbipopulluara

10/02/2025 13:29

Shqiptarëve me çrregullime të shëndetit mendor ju shkelen të drejtat themelore për një trajtim dhe shërbim të denjë në spitalet psikiatrike.

“Dhomat ishin të mbi populluara dhe me pak hapësirë për privatësi dhe qetësi mendore. Kjo situatë ka ndikuar negativisht në gjendjen e përgjithshme se, në këto kushte rritet agresiviteti i pacientëve të shtruar aty. Po kështu, mbipopullimi i dhomave me pacientë të diagnozave të ndryshme e bën më të vështirë rikuperimin e tyre gjatë trajtimit”, thotë KLSH.

KLSH konstaton në përgjithësi se infrastruktura është e amortizuar, jo higjienike  dhe pacientët mbahen të mbyllur me çelës apo me dritare me hekura; ka prezencë të lagështisë si dhe tualete e dushe të këqija. Gjithashtu nuk disponojnë mjetet e nevojshme për mbajtjen me forcë në izolim të pacientëve, pa i dëmtuar. Gjetja tjetër e KLSH është se synimi për dehospitalizimin e të sëmurëve mendorë nuk është përmbushur. Spitalet nuk kanë shërbyer si hapësira për rehabilitimin e riaftësimin e pacientëve, por për shkak edhe të braktisjes nga familja, janë shndërruar si rezidenca ku gati 60% e të shtruarve kanë më shumë se 10 vite qëndrimi.  Spitalet publike psikiatrike në Tiranë, Elbasan, Vlorë dhe Shkodër vuajnë edhe për mungesë stafi që përkeqëson shërbimin ndaj të sëmurëve mendorë, pasi raporti staf mjekësor dhe pacientë është goxha i thellë.

“Sipas modelit italian, një mjek psikiatër duhet të kujdeset vetëm për rreth 10 – 15 pacientë; një infermier për 4 – 6 pacientë në repartet akute dhe për 6 – 8 pacientë në repartet e rehabilitimit ose kujdesit afatgjatë; një psikolog për 20 – 30 pacientë. Ndërkohë që në Shqipëri këto shifra janë pothuajse të pamundura. Në dy spitalet më të populluara në vendin tonë, atë të Elbasanit dhe Vlorës, vërehet se raporti nr. pacientësh/staf është respektivisht: 62 pacientë/me 1 mjek, 25 pacientë/për 1 infermier, 62 pacientë/psikolog dhe 103 pacientë/punonjës social në Elbasan; 40 pacientë/me 1 mjek, 15 pacientë/me 1 infermier, 66 pacientë/psikolog dhe 33 pacientë/punonjës social në Vlorë”, thuhet në raportin e KLSH-së.

Këto të dhëna tregojnë se pacientët nuk marrin vëmendjen e duhur, por nga ana tjetër KLSH vlerëson se punonjësit përballen me kushte jashtë normaliteti, teksa për shkak të mbingarkesës nuk mund të realizojnë ndjekjen e rasteve në detaj. Problematikë thelbësore vërehet buxheti i vogël në këtë fushë; ndërkohë që kërcënues është fakti i rritjes së numrit të personave me probleme të shëndetit mendor.

“Për vitin 2023 pesha që ka zënë trajtimi i të sëmurëve të shëndetit mendor në spitalet psikiatrike është 2,5% të buxhetit të përdorur në spitalet e vendit, kjo ka sjellë dhe mos plotësimin e plotë të nevojave që kanë këta të sëmurë me probleme të shëndetit mendor”, thuhet më tej.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA