![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2024/12/mi-ghj-800x450.png)
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un tha se një partneritet i shtuar i Shteteve të Bashkuara me Korenë e Jugut dhe Japoninë përbën një kërcënim të madh për vendin e tij dhe u zotua se do të forcojë më tej programin e tij të armëve bërthamore, njoftuan mediat shtetërore të dielën.
Ai ka bërë paralajmërime të ngjashme edhe në të kaluarën, por deklarata e tij e fundit, sipas analistëve nënkupton se udhëheqësi i Koresë së Veriut nuk ka të ngjarë të pranojë propozimin e Presidentit Donald Trump për një takim dhe rigjallërim të përpjekjeve diplomatike së shpejti.
Në një fjalim me rastin e 77-vjetorit të themelimit të Ushtrisë Popullore Koreane të shtunën, Kim Jon Un tha se “partneriteti trepalësh i sigurisë SHBA-Japoni-Kore e Jugut, i krijuar në bazë të një komploti të Shteteve të Bashkuara për të formuar një bllok ushtarak rajonal i ngjashëm me NATO-n, është thirrje për një prishur ekuilibrin ushtarak në Gadishullin Korean dhe është duke ngritur sfida të mëdha të sigurisë për vendin tonë”, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve.
Gjatë viteve të fundit, mes tensionesh me Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut, udhëheqësi i Koresë së Veriut është përqëndruar në zgjerimin dhe modernizimin e arsenalit të tij të armëve bërthamore.
Në përgjigje të veprimeve të Phenianit, Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut kanë zgjeruar stërvitjet ushtarake dypalëshe dhe ato trepalëshe që përfshijnë edhe Japoninë.
Koreja e Veriut i ka kritikuar ashpër këto stërvitje, duke i quajtur ato përgatitje për pushtim.
Nga inaugurimi i tij më 20 janar, Presidenti Trump ka thënë se do ta kontaktojë sërish udhëheqësn e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.
Gjatë një konference të përbashkët shtypi me Kryeministrin japonez Shigeru Ishiba të premten, Presidenti Trump tha se “ne do të kemi marrëdhënie me Korenë e Veriut, me Kim Jong Un-in. Unë shkoja shumë mirë me të, siç e dini. Mendoj se e ndalova luftën”.
Presidenti Trump u takua me udhëheqësin koreanoverior Kim Jong Un tre herë në vitet 2 018-2019 për të diskutuar mbi përfundimin e programit bërthamor të Koresë së Veriut, që në atë kohë ishte takimi i parë i nivelit të lartë mes udhëheqësve të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut. /VOA
Top Channel