![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/cb066c76-159b-40bd-a38f-3c94546108d0_w1023_r1_s_sd-800x450.jpg)
Me 88% të votave të numëruara tashmë në të gjithë Kosovën, rezultatet paraprake nuk përvijojnë dot një tablo të qartë lidhur me përbërjen e re të Kuvendit, e as atë të ekzekutivit të ri.
Ashtu siç edhe pritej Lëvizja Vetëvendosje renditet në krye me numrin më të madh të votave, por deri tani rezulton të ketë siguruar vetëm 41.99% të tyre, pa e përsëritur dot suksesin e zgjedhjeve të vitit 2021, kur siguroi pa shumë mundim mbi 50 për qind të votave dhe krijimin e rehatshëm të qeverisë. Në zgjedhjet e së dielës, me 21.99 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës u rendit e dyta, ndërkaq e treta është Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.68 për qind të votave; Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë fitoi 7.65 për qind të votave. Lista Serbe ka fituar 4.05 për qind të votave, që nënkupton shumicën e votave të komunitetit serb në garë me pesë subjekte të tjera politike që garuan për votat e këtij komuniteti.
Rezultati përfundimtar i votimeve do të përcaktojë përbërjen e re të Kuvendit me 120 vende, ndërsa deputetët më pas zgjedhin Qeverinë e re. Komunitetet joshumicë kanë 20 vende të ndara në Kuvendin e Kosovës, prej të cilave 10 janë të garantuara për komunitetin serb.
Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për Politika në Prishtinë, pohoi për REL se rezultatet aktuale mund të pësojnë ndryshime për secilin prej subjekte në garë, pas numërimit të votave të diasporës. “VV ka rreth 42 për qind të votave, që do të thotë 47 deputetë. Me votat nga jashtë, asaj mund t`i shtohen edhe dy apo tre ligjvënës të tjerë.
Nëse Vetëvendosje arrin në 49 apo 50 vende në Kuvend, atëherë kemi llogari të tjera”, shprehet Rashiti. KQZ-ja njoftoi më herët se 104.934 votues janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës dhe 84.525 prej tyre zgjodhën që të votonin përmes postës. Komisioni sakaq ende nuk ka bërë të ditur numrin e personave që kanë votuar me kusht, që do të thotë individë të cilëve u gjendet emri në listën e votuesve, por që për arsye objektive nuk mund të votojnë në vendvotimin e caktuar. Një tjetër njohës i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, vlerëson se bazuar në rezultatet aktuale, Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse është fituese e zgjedhjeve, nuk do të mund të qeverisë e vetme, sikurse në mandatin e kaluar.
“Nëse Lëvizja Vetëvendosje vendos që ta bëjë Qeverinë vetëm me pakicat, atëherë kjo do të jetë një qeveri jashtëzakonisht jostabile, pasi që mezi do t’i arrijë 61 vota. Plus, mund të ketë probleme me Listën Serbe. Por nga ana tjetër, edhe nëse partitë opozitare bashkojnë votat e tyre, edhe kjo qeveri do të ishte e paqëndrueshme dhe me pak gjasa për jetëgjatësi politike”, mendon ai.
Top Channel